Kukës, pasuritë minerare. Shqipëria pritet të antarësohet në “EITI”
Në fund të muajit Maj të këtiij viti, pritet që Shqipëria të antarësohet me të drejta të plota në Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI), antarësim i cili është edhe një kusht për integrimin e vendit tonë në strukturat europiane. Kjo nismë është një koalicion i qeverive, kompanive, grupeve të shoqërisë civile, investitorëve apo organizatave ndërkombëtare, me qëllim që të vendoset një kontroll ndaj biznesit në industrinë nxjerrëse në mënyrë që ky biznes të kontribuojë më shumë në zhvillimin e vendit.
Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi të organizuar në Kukës, nga qendra për zhvillim dhe demokratizim të institucioneve ku në një tryezë të përbashkët janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me sektorin minerar, duke qenë se qarku i Kukësit njihet për depozitat e shumta mineral-mbajtëse, të cilat aktualisht po shfrytëzohen pa kriter. Vitet '90 startuan rrënimin e minierave të Qarkut të Kukësit, ndër më të pasurat në Shqipëri. Statistikat e kohës tregojnë se në këtë industri ishin punësuar 15 mijë punëtorë, që së bashku me disa sektorë ndihmës arrinin numrin 17 mijë punëtorë. Sektorët më të rëndësishëm ishin ato të nxjerrjes së bakrit dhe kromit, si dhe të përpunimit të tyre.
