Greqia shtyn deri më 7 dhjetor masat anti-Covid

Greqia shtyn deri më 7 dhjetor masat anti-Covid

Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas njoftoi sot se, masat kufizuese anti-Covid do të shtyhen deri në 7 dhjetor.

"Ka disa shenja të para të uljes së numrit të rasteve. Nëse ky ritëm vazhdon, atëherë presioni mbi Sistemin Shëndetësor Kombëtar do të fillojë të ulet", tha ai.

"Atëherë ne mund të planifikojmë një kthim gradual në një lloj normaliteti. Aktualisht, masat kufizuese ekzistuese për mbrojtjen nga koronavirusi shtrihen deri të hënën, 7 dhjetor 2020, në 06:00 në mëngjes", shtoi Petsas, citon Ora News.

Sipas tij, ky vendim është i domosdoshëm, pasi barra epidemiologjike është akoma e lartë.

Burim shqetësimi, tha ai, janë zonat që tregojnë raste shumë të larta në lidhje me popullsinë e tyre.

Selaniku, Serrat, Patras, Larisa, Magnezia, Etoloakarnania, Lesvos.

"Qeveria po monitoron nga afër zhvillimet dhe do të njoftojë hapat e ardhshëm kur të ketë më shumë të dhëna mbi rrjedhën e pandemisë", vazhdoi Petsas.

"Qëllimi mbetet një: Grekët të takohen me vaksinën në këmbë dhe të shëndetshëm dhe nga pranvera e 2021 me të mirën për të hapur përsëri një epokë të re për vendin tonë", theksoi ai.

Në fillim të nëntorit Greqia u fut në një lockdown të dytë, raporton Ora News.

Gjithësesi, pavarësisht vazhdimit të karantinës, çerdhet dhe shkollat fillore do të vazhdojnë të jenë të hapura, ndërsa arsimi i mesëm dhe universitetet do të vazhdojnë online.

Farmacitë dhe marketet që shesin produkte të nevojës themelore do të jenë gjithashtu hapur, ndërsa qytetarët mund të dalin nga shtëpitë duke njoftuar më parë autoritetetet përmes sms-ve, shkruan Ora News.

Nga nisja e pandemisë, Greqia numëron 97288 të infektuar me Covid-19 dhe 1902 viktima.

/OraNews

Rajoni Lajme Greqi Covid-19 Lajmi i fundit Greqi koronavirusi ne greqi masat qeveria greke

EMISIONET