"Do ju vr*s të gjithëve!"/ Qëlloi për vd*kje ish-vjehrrin, vëllai i viktimës dëshmon tmerrin: Ishte e paramenduar. S'ndihmonim dot, kishte a*më (VIDEO)

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e mëngjesit të sotëm në fshatin Vidhisht të Fierit, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete ish-bashkëshorten.

Vëllai i viktimës ka rrëfyer momentet e tensionit brenda banesës, duke treguar se familjarët nuk kanë mundur të ndërhyjnë pasi autori ishte i armatosur.

Sipas tij, gjatë ngjarjes dëgjoheshin kërcënimet e autorit nga brenda banesës.

“Rreth e rrotull po bërtiste ai brenda. Nuk hynim dot sepse nuk vinim dot aty. Ne nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Hajdeni se do t’ju vras të gjithëve’”, u shpreh vëllai i viktimës.

Ai tregoi se policia është njoftuar nga familjarët, por sipas tij mbërritja në vendngjarje ka ndodhur rreth një orë më pas.

Pas ngjarjes, autori dyshohet se është larguar nga banesa nga pjesa e pasme, përmes një dritareje, ku kishte lënë edhe automjetin. Më pas ai ka marrë me vete ish-bashkëshorten dhe është larguar.

“Doli nga mbrapa shtëpisë, nga dritarja. Kishte lënë makinën matanë. E mori edhe çupën me vete dhe iku”, tregoi ai.

Familjari i viktimës u shpreh se mes 35-vjeçarit dhe ish-bashkëshortes së tij kishte pasur probleme të vazhdueshme dhe se, sipas tij, kërcënimet kishin nisur më herët.

“Kishin probleme. Tri herë është arrestuar, është futur brenda dhe tri herë ka dalë. Gjithmonë kërcënonte”, tha ai.

Sipas dëshmisë, 35-vjeçari kishte pasur edhe një ndalim të mëparshëm në Tiranë për armëmbajtje, ndërsa më pas ishte lënë nën masë sigurie.

“Kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Do vish tek unë, pa mua ti nuk bën dot jetë’. Këto kanë qenë shantazhe të paralajmëruara”, rrëfeu vëllai i viktimës.

Ai e cilësoi ngjarjen si një vrasje të paralajmëruar, ndërsa tregoi edhe momentin kur ka hyrë në banesë pas ngjarjes.

“Kur hyra brenda pashë tim vëlla të shtrirë atje, kunatën aty...”, u shpreh ai.

Policia vijon kontrollet për kapjen e autorit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



EMISIONET