Gjiknuri në Azerbajxhan për TAP, firmosin tubin e parë të gazësjellësit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, zhvilloi një vizitë dy ditore në Baku të Azerbajxhanit ku mori pjesë në ceremonitë e organizuara për shënimin e 20 vjetorit të asaj që njihet si “Kontrata e Shekullit” dhe nisjen zyrtare të punës për ndërtimin e Korrridorit Jugor të Gazit.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Ministri Gjiknuri deklaroi se Korridori Jugor i Gazit është një projekt shumë i rëndësishëm dhe ceremonia e nisjes së punimeve është një lajm shumë i mirë që përçohet tek qytetarët e vendeve tona.

“Transportimi i gazit nga fusha e Shah Denizi përmes TANAP dhe TAP do të mund të diversifikojë burimet tona energjetike dhe do ta vendosë Shqipërinë në hartën energjitike të Evropës”, u shpreh Ministri.

Duke konstatuar me kënaqësi faktin se Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrimet kontraktuale për të siguruar nisjen sa më të shpejtë të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP, Ministri insistoi se ky projekt ka një rëndësi thelbësore dhe strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.

TAP1

“Ky gazsjellës, me ndihmën edhe të SOCAR dhe aksionerëve të tjerë të interesuar, mund të kthehet në një burim zhvillimi, jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe të gjithë Evropën juglindore. Ne jemi të gatshëm për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, bazën ligjore për të garantuar suksesin e këtij projekti”, theksoi Ministri Gjiknuri.

Shqipëria, vijoi Ministri duhet ta shfrytëzojë këtë moment, jo vetëm për të plotësuar nevojat e saj të brendshme por edhe për tu bërë promotore e gazifikimit të disa vendeve të rajonit që ende nuk kanë një infrastrukturë dhe treg të gazit.

“Gjej rastin të shpreh vlerësimin tim për qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompaninë SOCAR për vullnetin e shprehur për të ndihmuar në realizimin e këtij objektivi për ta bërë Shqipërinë pjesë të tregut të gazit”, nënvizoi Ministri.

Sipas tij, degëzimi i TAP dhe me projektin e gazsjellësit IAP do të rrisë shanset dhe mundësitë për sigurinë energjitike të gjithë rajonit.

Gjiknuri tha se qeveria shqiptare po mbështet fuqishëm investimet e huaja dhe se përmes transparencës e sigurisë po krijohet mjedisi i përshtatshëm që çdo sipërmarrës ta shohë Shqipërinë si një mundësi për të investuar.

Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën “Heydar Aliyev” ishin personalitete të rëndësishme si Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Presidenti i Bullgarisë Rosen Pleneliev, Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Garibashvili, ai i Greqisë Antonis Samaras dhe i Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Ministri i Energjisë së Turqisë Taner Yildiz, Ministri Britanik Lord Livingston dhe zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik të Italisë Claudio De Vincenti, i dërguari special dhe koordinatori për çështjet ndërkombëtare të energjisë në Departamentin e Shtetit Amos Hochstein.

tap

Pasi shprehën mbështetjen dhe vlerësimin e plotë për këtë projekt të rëndësishëm ekonomik për Ballkanin dhe Evropën në tërësi, në Terminalin e Sangaçalit, secili prej zyrtarëve të vendeve pjesëmarrëse vendosi në mënyrë simbolike firmën mbi tubin e parë të rrjetit të Korridorit Jugor të Gazit.

Gjatë vizitës në Baku, Ministri Gjiknuri zhvilloi takime me krerët e shteteve pjesëmarrëse në aktivitet, zyrtarët vendas dhe drejtuesit më të lartë të SOCAR dhe Grupit BP.

Të dhëna teknike për projektin:

Korridori Jugor i Gazit është një nga sistemet e gazit me vlera multidimensionale të zhvilluara ndonjëherë në botë. Gjatësia e tij është mbi 4000 km, ai përshkon shtatë vende duke përfshirë shumë kompani energjie. Korridori është i përbërë nga disa projekte të veçanta energjetike, që përfaqësojnë një investim të përgjithshëm prej rreth 45 miliardë USD: Shah Deniz 2, me shpime pusesh dhe prodhim detar gazi në Detin Kaspik; Zgjerim i impiantit të përpunimit të gazit në Terminalin e Sangaçalit, në bregun e Detit Kaspik në Azerbajxhan; tre projekte gazsjellësish: Gazsjellësi i Kaukazit të Jugut (SCPX) – Azerbajxhan, Gjeorgji, Gazsjellësi Trans Anatolian (TANAP) – Turqi dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) – Greqi, Shqipëri, Itali. Projekti i Korridorit Jugor të

Gazit përfshin zgjerim i rrjetit italian të transmetimit të gazit dhe mundësi për lidhje të tjera me rrjetet e gazit në Evropën Juglindore, Qëndrore dhe Perëndimore.

Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 60 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.

Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 58 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 44 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 50 ura dhe do të ndërtohen dy të reja. Këto punime planifikohen të nisin në vitin 2015.

EMISIONET