FA Cup, kualifikohet Liverpool
Liverpuli është kualifikuar në turin e katërt të FA Kup , ndonëse për të siguruar fitoren 2-1 përballë Mansfild i është dashur ndihma e problematikut Suarez që ka shkaktuar polemikën e radhës për të kuqtë.
Ndeshja filloi mjaft mirë për ekipin e Brendan Roxhers, me sulmuesin Starrixh që debutoi me gol në ndeshjen e tij të parë pas transferimit nga radhët e Çelsit, duke gjetur rrjetën që në minutën e 7-të. Liverpuli arrinë të dyfishojë rezultatin me anë të një golin të dyshimtë të Suarez, i cili ndali topin me dorë dhe pastaj shënoi qetësisht duke dërguar topin në rrjetë. Goli i Grin në minutën e 80-të bëri që takimi të ishte me emocione të shumta në minutat e fundit, por gjithsesi Liverpuli arriti të ruante këtë fitore deri në vërshëllimen e fundit duke siguruar kualifikimin.
Në ndeshjen tjetër të luajtur dje për FA, Arsenali është ndalur në barazim 2-2 në fushën e Suonsit dhe do të duhet të përsërisë ndeshjen në fushën e vet për të përcaktuar se cila nga këto dy skuadra do të kalojë në turin tjetër të aktivitetit. I zakonshmi Miçu, shënoi golin e avantazhit për Suonsin në minutën e 58-të, ndërsa Podolski e Gibs shënuan dy gola për miqtë pak minuta para fundit të ndeshjes, duke bërë të mendohej se skuadra e Venger do të kalonte në turin tjetër. Megjithatë, një gol i Graham në minutën e 87-të vulosi barazimin që detyron ripërsëritjen e ndeshjes në fushën e "topçinjve", sipas rregullores së aktivitetit më të vjetër futbollistik në Angli.
Në ndeshjet e tjera të vlefshme për FA Kup Manchester Siti dhe Chelsi kanë fituar Bindshëm ndërsa Mnachester United do të luaj takimin e dytë përballë Uest Ham pasi në të parin gjithçka ka përfundur në barazpeshë.
