Shpërthimi i Turizmit / Të ardhurat prekin shifrën rekord mbi 1 miliard euro në 3 muaj

Turizmi shqiptar e ka nisur vitin me ritme të paprecedenta, duke thyer çdo rekord të mëparshëm dhe duke konfirmuar zyrtarisht zgjerimin e sezonit përtej muajve tradicionalë të verës.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, përgjatë tremujorit të parë të vitit, të ardhurat që vizitorët e huaj lanë në vendin tonë arritën në mbi 1 miliard euro. Kjo shifër shënon një rritje të fuqishme prej 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u regjistruar si niveli më i lartë historik për këtë periudhë.
Rritja e arkëtimeve po ecën paralel me shtimin e numrit të turistëve, të cilët po vijnë gjithnjë e më shumë edhe nga tregje të reja gjeografike, të joshur nga reklama e madhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë së Turizmit, për 5 muajt e parë të vitit, Shqipëria ka mirëpritur mbi 3.7 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin paraardhës.
Nga ana tjetër, statistikat dëshmojnë se dëshira për të udhëtuar ka prekur fort edhe vetë shqiptarët. Gjatë po këtij tremujori të parë, qytetarët shqiptarë shpenzuan plot 579 milionë euro për udhëtime jashtë shtetit, çka përbën një rritje prej 11.1% me bazë vjetore.
Pritshmëritë për muajt në vijim mbeten mjaft optimiste. Operatorët turistikë raportojnë se rezervimet janë në kulm dhe, nëse kjo tendencë vazhdon, ky vit pritet të mbyllet si më i suksesshmi në historinë e industrisë së turizmit shqiptar, si për nga numri i vizitorëve, ashtu edhe për paratë që do të qarkullojnë në ekonomi.


