Qershia dëmtohet nga temperatura/ Dibër, molla reziston, prodhimi i kënaqshëm
Temperaturat e ulëta që mbizotëruan në vendin tonë gjatë muajit prill, kanë dëmtuar në masë prodhimin e qershive në Dibër. Por pavarësisht kësaj, mollët i kanë rezistuar kushteve atmosferike, ndërsa fermerët shprehen të kënaqur me situatën, pasi edhe tregun e prodhimeve të tyre e kanë të siguruar!
Luhajtjet e shpeshta të temperaturavë gjatë muajit Prill kanë sjellë pasoja të rënda në frutikulturë në Dibër.
Si rezultat i rënies së ndjeshme të temperaturave, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në pemët e qershisë.
Fermerët thonë se qershia nuk i ka rezistuar të ftohtit të pazakonshëm për periudhën, duke bërë që të dëmtohen prodhimi thuajse në maksimum.
Lahim Dyfeku nga fshati Grevë i Dibrës thotë se rreth 20 hektarë të mbjella me qershi do të jenë pa prodhim këtë vit, pasi u dëmtuan nga temperaturat shumë të ulta gjatë kohës kur pemët kishin çelur lule.
Lahim Dyfeku, Fermer: “Qershia është dëmtuar , se unë kam mbjellë shumë. Kam investuar shumë dhe kam 2 hektarë qershi, sikur janë këto këtu janë dhe atje. Sa i përket zonës, askush nuk ka bërë ndonjë siguracion të prodhimeve, në mënyrë që të mund të kompensohemi sadopak për dëmin”.
Por ndryshe e sheh situatën për mollën.
Lahimi shprehet se molla ka mundur t’i rezistojë temperaturave për faktin se ende nuk kishte çelur lule.
Në 20 hektarët e mbjella me mollë të varieteteve të ndryshme, fermeri Lahim Dyfeku pret që të marrë prodhim të kënaqshëm, tregun e të cilit e ka siguruar.
Lahim Dyfeku, Fermer: “Në këtë fazë është faza e lulzimit dhe shikohet që shumë mirë dhe bleta është afruar dhe po bën pjalmimin e luleve të mollës dhe duke gjithçka shumë mirë. Shteti gjithmonë na ka mbështetur në mbjellje dhe subvencionime. Kush ka bërë projekte, apo ka aplikuar ka marrë ato që ka kërkuar. Tregun e kemi”.
Stina e pranverës është shoqëruar me mot të paqëndrueshëm dhe temperatura jo stinore, duke shkaktuar dëme kryesisht në frutikulturë.