Berisha risjellë deklaratën e eurodeputetit Zdechovský: Duhet të jepen përgjigje për akuzat
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për mediat ku ka reaguar pas deklaratave të europarlamentarit Tomas Zdechovský, duke ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me pretendimet për transferime parash jashtë vendit.
Berisha u ndal te intervista e eurodeputetit në emisionin e gazetarit Flavio Qarri, ku sipas tij u përmend parimi i hetimeve financiare “ndiq paratë”.
Kreu i PD-së kërkoi një reagim nga kryeministri dhe familjarët e tij, duke e cilësuar heshtjen si një çështje që kërkon sqarime publike.
“Po ndjekim paratë. Ky është parimi themelor i çdo hetimi serioz kundër korrupsionit dhe mafies. Pas kësaj deklarate kanë kaluar 24 orë dhe Edi Rama nuk ka dhënë asnjë përgjigje.”-tha ai.
Berisha akuzoi gjithashtu mediat shqiptare se nuk kanë pasqyruar sipas tij deklaratat e europarlamentarit, duke ngritur pretendime për mungesë transparence në raportimin e çështjeve që lidhen me qeverinë.
Kreu i demokratëve lidhi deklaratat e fundit me akuzat e ngritura më herët nga opozita ndaj kryeministrit, duke përmendur edhe udhëtimet me avion charter të Ramës, të cilat sipas tij kanë krijuar pikëpyetje publike.
“Kjo nuk është një çështje që del papritur. Është pjesë e një serie akuzash që janë ngritur prej kohësh. Qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje dhe transparencë.”-u shpreh kryedemokrati.
Berisha kërkoi që institucionet të verifikojnë pretendimet e ngritura dhe që qeveria të japë qëndrimin e saj për akuzat e bëra.


