Rraskapitja mendore nuk është vetëm problem modern, edhe njerëzit e Mesjetës luftonin me të

Stresi, lodhja e thellë dhe ndjenja e boshllëkut emocional nuk janë dukuri të lindura në shekullin XXI. Studiuesit zbulojnë se edhe njerëzit e Mesjetës përballeshin me të njëjtat vështirësi mendore dhe kishin mënyra interesante për t’i përballuar ato.

Në shekullin V pas Krishtit, mendimtari i krishterë Gjon Kasiani përshkruante simptoma që sot do t’i lidhnim me rraskapitjen mendore: lodhje, mungesë shprese, vështirësi për t’u përqendruar dhe dëshirën për t’u larguar nga çdo përgjegjësi.
Sipas historianit Peter Jones, i cili ka studiuar këto rrëfime në librin e tij “Self-Help from the Middle Ages: A Journey into the Medieval Mind”, përvojat emocionale të njerëzve kanë mbetur pothuajse të njëjta përgjatë shekujve.
Ai shpjegon se në Mesjetë ekzistonte koncepti i akedia-s, një gjendje që përshkruhej si zbrazëti e shpirtit, humbje e interesit dhe mungesë energjie për të vazhduar përpara. Ndryshe nga ideja moderne e “dembelizmit”, mendimtarët mesjetarë e shihnin si një vuajtje që kërkonte mirëkuptim dhe trajtim.

Historianët tregojnë se priftërinjtë e asaj kohe shpesh vepronin si këshillues emocionalë, duke i ndihmuar njerëzit përmes bisedave të thelluara dhe reflektimit mbi problemet e tyre.
Një nga këshillat e tyre ishte pranimi i vështirësive dhe gjetja e një qëllimi më të madh në jetë. Sipas Jonesit, kjo ide ngjan shumë me disa qasje të psikologjisë moderne, të cilat sugjerojnë pranimin e emocioneve dhe fokusimin te vlerat personale.
Studimi sjell edhe një mesazh qetësues për njerëzit që përballen me rraskapitje sot: ndjenja e lodhjes dhe humbjes së drejtimit nuk janë të reja dhe njerëzit kanë luftuar me to për mijëra vite.
“Urtësia e Mesjetës” sugjeron se një nga mënyrat më të mira për të përballuar periudhat e vështira është të pranojmë dobësitë tona, të kërkojmë mbështetje dhe të gjejmë një arsye që na shtyn përpara./TELEGRAFI


