Poshnjari: Emetuesit e titujve financiarë, detyrime të reja për publikimin e informacionit

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve financiarë”.
Para anëtarëve të komisionit, drejtoresha e Mbikëqyrjes së Tregut të Kapitaleve në AMF, Patris Poshnjari u shpreh se projektligji synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Poshnjari theksoi se projektligji forcon kërkesat për transparencën dhe publikimin e informacionit nga emetuesit e titujve financiarë, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe mbrojtjes së investitorëve në tregun e kapitaleve.
Sipas Poshnjarit, “qëllimi i projektligjit nuk është vetëm përmbushja e detyrimeve të procesit të integrimit, por edhe krijimi dhe zhvillimi i tregut vendas të kapitaleve si alternativë financimi për bizneset dhe alternativë investimi për investitorët”.
Për arritjen e këtij qëllimi, sipas saj, është e domosdoshme rritja e standardeve të transparencës, në mënyrë që investitorët të marrin vendime të informuara.
“Ky është edhe synimi kryesor i projektligjit: të rrisë transparencën, të forcojë besimin e investitorëve dhe të zgjerojë gamën e instrumenteve financiare, e cila aktualisht është e përqendruar kryesisht te titujt e qeverisë dhe disa obligacione të emetuara përmes ofertës private”, u shpreh Poshnjari.
Po ashtu, Poshnjari theksoi se pr/ligji synon krijimin e një kuadri të plotë ligjor dhe të harmonizuar për publikimin, depozitimin, ruajtjen dhe aksesin e informacionit të rregulluar nga emetuesit, titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në tregje të rregulluara.
Ky kuadër ligjor, sipas saj, është thelbësor për zhvillimin e një tregu kapitali funksional dhe të besueshëm, duke siguruar që investitorët të kenë akses në informacion të plotë, të saktë, të krahasueshëm dhe në kohë.
“”Informacionet e rregulluara” duhet të depozitohen dhe të ruhen në një pikë të vetme të centralizuar, të quajtur Mekanizmi Zyrtar i Caktuar (Officially Appointed Mechanism). Ky mekanizëm është një nga instrumentet kryesore të përdorura në Bashkimin Evropian për grumbullimin dhe ruajtjen e informacionit të emetuesve. Ai u mundëson investitorëve të kenë akses në informacion të krahasueshëm dhe të besueshëm, në mënyrë që të marrin vendime të informuara për blerjen, shitjen ose mbajtjen e instrumenteve financiare në portofolin e tyre tha Poshnjari”, tha Poshnjari, duke shtuar se “ky mekanizëm kombëtar do të jetë i lidhur me atë evropian”.
Me projektligjin e ri për transparencën e titujve qeveritarë, emetuesit e këtyre titujve, ose shoqëritë e listuara në tregun e rregulluar, janë të detyruar të bëjnë publik çdo informacion të rëndësishëm. Projektligji parashikon kërkesat që duhet të plotësojnë emetuesit pas momentit të emetimit të titujve.


