SKANDAL NË POSTËN SHQIPTARE/ Mbi 700 mijë euro dyshohet se janë vjedhur në degën e Durrësit
Një skandal i vjedhjes së fondeve ka përfshirë Postën Shqiptare!
Një skemë ku dëmi financiar përllogaritet në mbi 700 mijë euro është zbuluar në degën e Postës Shqiptare në Durrës.
Pas një kontrolli të brendshëm, shoqëria tregtare ka depozituar në Prokurori kallëzim penal ndaj disa punonjësve të filialit, të dyshuar për parregullsi në raportimin dhe administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave.
Në kuadër të masave administrative, drejtoresha e filialit të Durrësit, Elizabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra, ndërsa drejtuesja e sektorit të Financës, Valbona Duni, ka dhënë dorëheqjen.
Sipas njoftimit zyrtar, shkeljet u konstatuan gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare nga Drejtoria Ekonomike e institucionit.
Posta Shqiptare sqaroi se fondet e prekura nga parregullsitë nuk kanë lidhje me pensionet apo me pagesat e pensionistëve.
Dokumentacioni i mbledhur gjatë kontrollit i është dorëzuar Prokurorisë, ndërsa institucioni deklaroi se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese për zbardhjen e plotë të rastit.
Përcaktimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë tashmë u takojnë organeve të drejtësisë.
Posta Shqiptare thotë se do të zbatojë tolerancë zero ndaj çdo rasti abuzimi me detyrën apo me fondet e institucionit.

