Miratohen projektligjet për mbrojtjen e produkteve artizanale dhe Konventën e Aviacionit Civil

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje.
Fillimisht, komisioni në drejtimin e nënkryetarit Ceno Klosi shqyrtoi projektligjin “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”.
Të ftuar në mbledhje ishin Mejvis Bajollari, drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Nxitjes së Biznesit dhe Çështjeve të Tregtisë dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Bajollari tha se projektligji synon krijimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e treguesve gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Relatorja Besa Spaho u shpreh se trajtimi i treguesve gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale në një ligj të veçantë bëhet i nevojshëm gjithashtu edhe për faktin se, përafrimi i këtyre objekteve të pronësisë industriale me aktet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në këto fusha është i pjesshëm, ndërkohë që kërkohet të bëhet përafrimi i plotë, i cili kërkon të parashikohen edhe një sërë elementesh e detajesh të tjera juridike që deri më sot rregullohen pjesërisht ose nuk rregullohen fare.
Pas diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Më pas, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025”.
Të ftuar ishin zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj dhe stafi shoqërues.
Në fjalën e saj zëvendësministrja u shpreh se ratifikimi i kësaj konvente synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e aviacionit civil. Konventa parashikon gjithashtu kompetencat e tagrat kryesorë të Byrosë në drejtim të përfaqësimit e të veprimit në emër të organizatës.
Në përfundim të shqyrtimit, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.


