Parkinsoni, transplanti i qelizave staminale jep rezultatet e para pozitive

Transplanti i qelizave staminale jep shpresë të re për pacientët me sëmundjen e Parkinsonit.
Në një arritje që mund të shënojë një hap të rëndësishëm në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit, mjekët kanë transplantuar në trurin e tetë pacientëve qeliza të krijuara nga qelizat staminale.
Bëhet fjalë për qeliza paraardhëse dopaminergjike, të cilat kanë aftësinë të shndërrohen në neurone që prodhojnë dopaminë – substanca që mungon te pacientët me Parkinson për shkak të vdekjes së këtyre qelizave nervore.
Studimi, i publikuar në revistën prestigjioze Nature Medicine dhe i udhëhequr nga Universiteti i Lundit në Suedi, nuk evidentoi efekte anësore të rënda, duke konfirmuar se kjo procedurë është e sigurt dhe teknikisht e realizueshme.
Kërkimi është pjesë e projektit evropian Stem-PD, i cili synon zhvillimin e terapive të reja me bazë qelizat staminale për luftimin e Parkinsonit.
Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga humbja graduale e neuroneve që prodhojnë dopaminë, duke sjellë simptoma si lëvizje të ngadalësuara, ngurtësi muskulore, vështirësi në ecje dhe dridhje.
Edhe pse trajtimet aktuale me barna ndihmojnë në zëvendësimin e dopaminës, me kalimin e viteve ato shpesh bëhen më pak efektive dhe mund të shoqërohen me efekte anësore.
“Zëvendësimi i neuroneve dopaminergjike të humbura ka qenë prej kohësh një nga synimet më të rëndësishme në kërkimin shkencor për Parkinsonin”, tha Malin Parmar, koordinatore e projektit Stem-PD.
Tetë pacientët morën transplantin në dy nivele dozimi dhe, për 12 muaj, iu nënshtruan një terapie imunosupresive për të parandaluar refuzimin e qelizave të transplantuara.
Njëri prej tyre ndërroi jetë gjatë studimit si pasojë e një infeksioni pulmonar, i cili sipas studiuesve nuk kishte lidhje me transplantin.
Operacioni u përballua mirë nga pjesëmarrësit, ndërsa gjendja e tyre klinike mbeti e qëndrueshme.
Një rezultat veçanërisht inkurajues ishte se gjashtë nga tetë pacientët arritën të ulnin ndjeshëm dozën e barnave që stimulojnë dopaminën.
Meditate, shkencëtarët theksojnë se do të nevojiten vëzhgime afatgjata për të konfirmuar nëse përfitimet e kësaj terapie do të zgjasin me kalimin e kohës.


