EMRI/ Grabiti taksistin në Tiranë, 27-vjeçari dyshohet për 6 vjedhje në 3 qytete vetëm në qershor

Një grabitje e ndodhur në një taksi në aksin Tiranë-Elbasan ka nxjerrë në dritë atë që policia dyshon se është veprimtaria e një grabitësi serial që prej javësh godiste në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Në pranga ka rënë Trazhgim Maçi, 27 vjeç, i arrestuar fillimisht si autor i dyshuar i grabitjes së një taksisti. Sipas hetimeve, ai kishte hipur si pasagjer në automjet dhe më pas kishte kanosur shoferin me mjet prerës, duke i marrë para dhe një varëse floriri.
Pas arrestimit të tij, hetuesit kanë lidhur 27-vjeçarin edhe me pesë raste të tjera të regjistruara gjatë muajit qershor.
Dyshohet se më 5 qershor ai ka vjedhur para nga portofoli i një qytetari në tregun e Fushë Krujës. Pak ditë më vonë, më 10 qershor, sipas policisë, ka hyrë në një biznes në Tiranë ku, nën kërcënimin e një mjeti prerës, ka marrë para dhe një varëse floriri.
Një tjetër episod është regjistruar më 12 qershor në kryeqytet, ku ai dyshohet se ka kërcënuar me një send të ngjashëm me armë zjarri pronarin e një subjekti, duke i marrë varësen e floririt dhe duke e goditur me grusht.
Hetimet e lidhin gjithashtu me grabitjen e një taksisti në Fushë Krujë më 15 qershor, ku dyshohet se u morën para, dy telefona dhe një orë dore, si edhe me një tjetër rast në Shënavlash të Durrësit, ku viktimë ishte sërish një drejtues taksie.
Policia thotë se hetimet vazhdojnë për të verifikuar nëse 27-vjeçari ka lidhje edhe me ngjarje të tjera të ngjashme.


