Samiti i NATO-s në Ankara/ Guler: Turqia është në qendër të arkitekturës së sigurisë

Samiti i ardhshëm i liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, do të shënojë një "kthesë të rëndësishme" në formësimin e drejtimit strategjik të aleancës. Deklarata vjen nga Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, pas pjesëmarrjes së tij në takimin e ministrave të Mbrojtjes në Bruksel.
Guler theksoi se ky samit nuk do të jetë thjesht një takim liderësh, por një dëshmi e vendosmërisë së NATO-s për t'u përshtatur me një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, ku kërcënimet konvencionale tani shoqërohen nga ato hibride, kibernetike dhe terrorizmi.
Guler u bëri me dije homologëve se Turqia renditet ndër pesë kontribuesit kryesorë të aleancës me forca ushtarake dhe po ecën me shpejtësi drejt përmbushjes së angazhimit për shpenzimet e mbrojtjes prej 5 për qind. Ai nënvizoi se një industri e fortë vendase e mbrojtjes nënkupton një NATO më të fortë.
"Sot ekziston një realitet shumë i qartë: Turqia nuk është në periferi të arkitekturës së sigurisë, por në qendër të saj. Ndërsa e ardhmja e NATO-s formësohet, Turqia është një nga aleatët kryesorë që kontribuon në vendime dhe prodhon siguri,"- deklaroi ministri turk.


