Tensionet për protestën / Franca mohon se kërkoi ndalimin e tubimit iranian në Paris

Ministria e Jashtme e Francës ka përgënjeshtruar njoftimet se ka kërkuar anulimin e një proteste të opozitës iraniane (Muxhahedinët e Popullit), e cila ishte planifikuar të mbahej këtë të shtunë në Paris.
Sipas ministrisë, pretendimet se ky vendim erdhi pas një kërkese politike janë plotësisht të rreme. Institucioni sqaroi se gjatë bisedës telefonike të së enjtes midis Ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, dhe homologut të tij iranian, Abbas Araghchi, kjo parti opozitare dhe tubimi i saj nuk u diskutuan në asnjë moment.
Ky reagim vjen pasi policia e Parisit deklaroi më herët se kishte ndaluar demonstratën, duke e lidhur vendimin pikërisht me telefonatën e zhvilluar mes dy ministrave.

