INTERI AFËR PALESTRËS! Zikaltërit përgatisin ofertën 50 milionë euroshe për Atalantën
Interi është më pranë arritjes së një marrëveshjeje me Atalantën për Marco Palestrën. Klubi zikaltër ka përgatitur një ofertë prej 45 milionë eurosh plus 5 milionë euro bonuse, ndërsa lojtari duket i vendosur të vazhdojë karrierën në Milano.

Interi dhe Atalanta vijojnë negociatat për transferimin e mbrojtësit të djathtë Marco Palestra, një nga objektivat kryesorë të kampionëve të Italisë në këtë merkato vere. Pas javësh diskutimesh, palët duket se janë më pranë një marrëveshjeje, ndërsa drejtuesit zikaltër kanë përgatitur një ofertë të re që i afrohet kërkesave të klubit bergamask.
Sipas raportimeve nga Italia, Interi është gati të ofrojë 45 milionë euro plus 5 milionë euro në formë bonusesh, duke arritur kështu shifrën totale prej 50 milionë eurosh të kërkuar nga Atalanta. Kjo formulë është diskutuar gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi mes përfaqësuesve të dy klubeve, ku sipas burimeve ka pasur sinjale pozitive nga të dyja palët.
Megjithatë, mbeten ende për t’u përcaktuar detajet e bonusëve dhe mënyra e aktivizimit të tyre. Atalanta preferon të arkëtojë një pjesë sa më të madhe të shumës në mënyrë fikse, ndërsa Interi synon ta strukturojë marrëveshjen me një komponent të rëndësishëm bonusesh të lidhura me objektivat sportive.
Një element që favorizon zikaltërit është vetë dëshira e lojtarit. Palestra raportohet se ka refuzuar interesimin e disa klubeve të Premier League, duke i dhënë përparësi transferimit në Milano. Kjo ka forcuar optimizmin e Interit se marrëveshja mund të finalizohet në javët e ardhshme.
Në të njëjtën kohë, Atalanta vazhdon të ketë alternativa në treg dhe mbështetet te interesimi nga Anglia për të ruajtur pozicionin e saj negociues. Klubi bergamask nuk dëshiron të humbasë një nga talentet e tij më premtues pa përfituar maksimalisht nga transferimi.
Një tjetër sinjal që po interpretohet si tregues i avancimit të negociatave është interesimi i drejtorit sportiv Cristiano Giuntoli për Savonën, lëvizje që mund të lidhet me planet e klubeve në rast të largimit të Palestrës. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë e negociatave mes Interit dhe Atalantës, asgjë nuk konsiderohet e mbyllur deri në firmosjen e kontratave.


