Malaj: Kuadri makroekonomik dhe fiskal 2027-2029 konfirmon drejtimin e qartë të zhvillimi të vendit

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se Shqipëria vijon përpara me stabilitet ekonomik dhe financa publike më të forta, ndërsa miratimi i kuadrit makroekonomik dhe fiskal 2027-2029 konfirmon drejtimin e qartë të zhvillimit të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale Malaj theksoi se kuadri i ri parashikon rritje ekonomike të qëndrueshme, investime të larta publike dhe ulje graduale të borxhit publik.
“Ekonomia shqiptare parashikohet të ruajë ritme të forta rritjeje në vitet në vijim, e mbështetur nga investimet, konsumi i brendshëm, turizmi dhe eksportet e shërbimeve”, tha Malaj.
Njëkohësisht, shtoi Malaj, politika fiskale do të vijojë me përgjegjësi për të garantuar stabilitet, besueshmëri dhe më shumë mundësi zhvillimi për qytetarët dhe bizneset.
“Ky kuadër është një tjetër hap konkret drejt forcimit të ekonomisë shqiptare dhe afrimit të saj me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Malaj.
Përgjatë periudhës 2023-2025, ekonomia e Shqipërisë ka përjetuar një rritje të qëndrueshme dhe pozitive ku norma e rritjes ekonomike arriti në 4,0% për vitet 2023 dhe 2024, dhe 3,8% për vitin 2025.
Rritja ekonomike parashikohet në normën 4,0% për vitin 2026 dhe përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2027-2029 parashikohet mesatarisht rreth 3,9% në vit. Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 3,9, 4,1 dhe 3,9% respektivisht për vitet 2027, 2028 dhe 2029.
Sipas kuadrit, motori kryesor i rritjes ekonomike do të mbetet kërkesa e brendshme, e mbështetur nga rritja e konsumit dhe investimeve.
Konsumi privat do të vazhdojë të nxitet nga përmirësimi i tregut të punës dhe rritja e besimit të konsumatorëve, ndërsa investimet private do të përfitojnë nga përmirësimi i klimës së biznesit, lehtësimi i kushteve të financimit dhe zgjerimi i aktivitetit ekonomik.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve parashikohen të rriten mesatarisht me 4,6% në vit gjatë periudhës 2027–2029, ndërsa eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi, do të vijojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
Në të njëjtën kohë, inflacioni pritet të rikthehet në objektivin 3% gjatë vitit 2026 dhe të qëndrojë pranë këtij niveli në afatin e mesëm.
Në planin fiskal, qeveria synon të vijojë konsolidimin e financave publike. Deficiti buxhetor parashikohet të ulet nga 2,3% e PBB-së në vitin 2026, në 1,6% në vitin 2027, 1,3% në vitin 2028 dhe 0,9% në vitin 2029. Paralelisht, balanca primare do të mbetet pozitive, duke arritur në 0,8% të PBB-së në vitin 2027, 1% në vitin 2028 dhe 1,4% në vitin 2029.
Borxhi publik bruto do të ulet në rreth 50,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të vitit 2029, nga 52,9% që rezultoi në vitin 2025, duke forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike.
Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal 2027-2029 përfaqëson një tjetër hap konkret drejt forcimit të ekonomisë shqiptare, garantimit të stabilitetit makroekonomik dhe afrimit të vendit me standardet e Bashkimit Evropian, në funksion të objektivit strategjik “Shqipëria 2030”.


