Intensifikohen përplasjet SHBA- Iran/ Qirjazi: Politika e jashtme e Trump ka "alienuar" Evropën, po tentohet një autonomi më e madhe strategjike

Zhvillimet e fundit në ngushticën e Hormuzit dhe tensionet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe Izraelit po rikonfigurojnë rendin botëror në mënyra të paprecedentë.

I ftuar në studion e lajmeve në "ORA NEWS", Eksperti i Ceshtjeve Nderkombetare, Redion Qirjazi, bëri një analizë të  thellë mbi zhvillimet e fundit gjeopolitike , të cilat tregojë se si bota po përballet me ndryshime kolosale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrëshqasin gradualisht nga roli i tyre tradicional si hegjemon global, përballë një rezistence të vazhdueshme nga vende si Irani dhe ngritjes së fuqive të reja si Kina në skenën ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, Europa po kërkon një autonomi më të madhe strategjike dhe ushtarake, duke përshpejtuar zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor për të konsoliduar stabilitetin. Paralelisht me lëvizjet politike, po ndodh një revolucion i vërtetë në mënyrën se si bëhet lufta: inteligjenca artificiale, dronët dhe armët e reja po sfidojnë ekuacionet tradicionale të dominancës ushtarake.

Sipas tij, lufta moderne po kthehet në një sfidë ekonomike, duke detyruar edhe vendet e Lindjes së Mesme të rishikojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes, duke mos u mbështetur më verbërisht vetëm tek Shtetet e Bashkuara.

"Konflikti në ngushticën e Hormuzit, specifikisht midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Iranit, po edhe Izraelit, ka sjellë në pah disa ndryshime kolosale në mënyrën se si marrëdhëniet ndërkombëtare janë të strukturuara do të thoja. Pikë së pari, ne shikojmë se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po fillon të rrëshqasë gjithmonë e më shumë nga roli i saj si një hegjemon në glob.

Në qoftë se para një dekade ose më shumë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës diktonte termat në pothuajse çdo gjë, tashmë duket sikur kjo rezistencë që po i ushtron Irani po kthehet në një realitet të shëmtuar për Amerikën, duke i lejuar ngritjen e fuqive të reja. Sigurisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur gjithmonë në shënjestrën e saj, ta themi në kuptimin metaforik, Kinën përsa i përket zhvillimit dhe sfidimit që ajo i bën sidomos në pjesën e Indo-Paqësorit apo në atë që quhet Jugu Global.

Por konflikti në Iran duket sikur e ka vërtetuar edhe më shumë këtë gjë. Së dyti, ka vërtetuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në një konflikt nuk mund të jesh i vetëm. Populli jonë thotë "trimi i mirë me shokë shumë", dhe kjo nënkupton të kesh vlerat që të mbështetesh në çfarëdo lloj konflikti kur ti je i përfshirë në të. Dhe qartazi mënyra se si administratat Trump i ka trajtuar disa nga këto çështje të marrëdhënieve me jashtë, politikës së tyre të jashtme, ka bërë që të alienohen një pjesë e madhe e Evropës.

Së treti do të thoja, kemi një tentativë të Evropës për një autonomi më të madhe strategjike, qoftë ajo në aspektin ushtarak, por qoftë edhe në atë politik. Shikojmë një proces të përshpejtuar për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, me idenë që është më mirë të kesh brenda një organizate një anëtar i cili, pavarësisht boshllëqeve, mund të reformohet më kollaj nga brenda, sesa të kesh një kundërshtar të mundshëm politik nga jashtë, pra të kesh një partner të jashtëm i cili në të ardhmen mund të ketë interesa të ndryshme.

Prandaj shikojmë edhe një lojë të BE-së për ta përshpejtuar zgjerimin. Shikojmë se si BE-ja po konsolidon gjithmonë e më shumë forcën e saj ushtarake, por sigurisht sfida më e madhe vazhdon të mbetet uniteti politik në BE. Nga ana tjetër shikojmë një revolucion do të thoja, në mënyrën e bërjes së luftës. Në qoftë se më përpara dominanca teknologjike përcaktonte edhe fitimtarin dhe kjo ishte pothuajse një ekuacion i thjeshtë matematikor, tashmë shikojmë që me zhvillimin e teknologjisë dhe në veçanti të inteligjencës artificiale"-tha ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE 

EMISIONET