Indeksimi i pensioneve nis më 1 korrik, ministrja Ibrahimaj tregon përfituesit dhe detajet
”Pensionet do të indeksohen me 2.7 për qind nga data 1 korrik”, bëri me dije ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
”Sot miratuam vendimin për indeksimin e pensioneve për vitin 2026. Është një vendim që e rikthen procesin në shtratin normal që ka pasur”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj kujtoi se gjatë vitit 2022, për shkak të krizës energjetike, pensionet u indeksuan dy herë, në muajt prill dhe tetor. ”Që prej këtij viti, nga data 1 korrik 2026, do të indeksojmë pensionet me 2,7%. Ky indeksim përfshin të gjitha pensionet e pleqërisë, pensionet e veçanta, si edhe përfitimet e barrëlindjes”, tha Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, ministrja nënvizoi edhe se nga kjo masë do të përfitojnë rreth 900 mijë qytetarë, të cilët do ta kenë të reflektuar indeksimin prej 2,7% në pagesat që do të marrin duke nisur nga 1 korriku 2026.
Indeksimi konsiderohet kompensim për çmimet e rritura, sidomos gjatë këtij viti ku inflacioni ka kapërcyer 3% për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, që solli menjëherë shtrenjtim të karburantit dhe të produkteve të tjera edhe në Shqipëri. Kjo ishte edhe arsye e indeksimit të pensioneve në korrik dhe jo në muaj tetor, siç ishte bërë traditë prej disa vitesh.
Me këtë indeksim prej 2.7% që është 0.2% më i lartë se ai i tetorit të vitit të kaluar (2.5%), pensionet urbane të pleqërisë shtohen mesatarisht me rreth 543 lekë në muaj, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2025-ës ishte 20,123 lekë.
Për pensionet rurale, shtesa është 320 lekë, pasi pensioni mesatar rural në fund të vitit të kaluar ishte 11,878 lekë. Praktikisht me këtë indeksim pensioni urban shkon në 20,666 lekë, dhe ai rural në 12,107 lekë.


