Sejko: Shqipëria po konsolidon kalimin drejt pagesave digjitale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në workshop-in “Cashless Albania – Një ekonomi pa përdorimin e parasë fizike: a jemi gati?”, të organizuar nga Akademia e Shkencave, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, sektorit bankar, akademisë dhe organizatave ndërkombëtare.
Workshop-i synoi të krijojë një forum diskutimi mbi perspektivat e kalimit të Shqipërisë drejt një ekonomie pa para fizike, duke vlerësuar progresin e deritanishëm, sfidat ekzistuese dhe prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të pagesave digjitale në vend.
Guvernatori evidentoi ndër arritjet kryesore transpozimin e kuadrit evropian PSD2, zhvillimin e konceptit të bankingut të hapur, miratimin e ligjit për llogarinë bazike të pagesave, modernizimin e sistemeve kombëtare të pagesave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), i cili u mundëson qytetarëve dhe bizneseve shqiptare të kryejnë transferta në euro me kosto ndjeshëm më të ulëta dhe sipas të njëjtave standarde si në vendet e Bashkimit Evropian.
Duke iu referuar rezultateve të këtyre reformave, Guvernatori u shpreh se të dhënat statistikore konfirmojnë ndikimin e tyre pozitiv në zhvillimin e tregut të pagesave. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, nga vetëm 5 pagesa një dekadë më parë, ndërsa pagesat digjitale vijojnë të rriten me rreth 25% në vit dhe përbëjnë tashmë pjesën më të madhe të pagesave të regjistruara në sistemet kombëtare. Po ashtu, numri i kartave në qarkullim ka arritur në 1,5 milionë, ndërsa rrjeti i terminaleve POS vijon të zgjerohet si në numër, ashtu edhe në shtrirje gjeografike. Sipas Guvernatorit, këto zhvillime dëshmojnë konsolidimin e një tendence afatgjatë dhe rritjen e besimit të publikut në përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave.
Për sa i përket zhvillimeve të ardhshme, Sejko theksoi se prioritet i Bankës së Shqipërisë mbetet ndërtimi i platformës kombëtare të pagesave të menjëhershme, bazuar në modelin TIPS të Eurosistemit, si dhe zgjerimi i aksesit të institucioneve të pagesave dhe të parasë elektronike në infrastrukturën kombëtare të pagesave.
Në përfundim, Guvernatori nënvizoi se suksesi i këtij transformimi varet jo vetëm nga zhvillimi i infrastrukturës dhe kuadrit rregullator, por edhe nga edukimi financiar i qytetarëve dhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve publike, sektorit financiar dhe akademisë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi kontributin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në nxitjen e dialogut shkencor dhe mbështetjen e reformave që promovojnë një kulturë më të avancuar financiare dhe digjitale në vend.


