Pse francezët po i lyejnë dritaret me shkumës gjatë valës së të nxehtit?

Ndërsa Franca po përjeton një valë të fortë nxehtësie, me temperatura që në disa zona i kanë kaluar 40 gradë Celsius, gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin një metodë të thjeshtë dhe me kosto të ulët për të freskuar banesat: lyerjen e dritareve me shkumës të bardhë, të përzier me ujë, i njohur si “Blanc de Meudon”, shkruan BBC.
Ky material, i cili zakonisht përdoret për pastrim ose në prodhimin e bojërave, krijon mbi xham një shtresë të bardhë, që lejon depërtimin e një pjese të dritës, por reflekton rrezet e diellit dhe nxehtësinë, duke ndihmuar në uljen e temperaturës brenda ambienteve.
Sipas studiuesve, kjo metodë mbështetet edhe nga shkenca. Përbërësi kryesor i shkumësit, karbonati i kalciumit, ka aftësi të larta reflektuese ndaj rrezatimit diellor dhe përdoret gjithashtu, në zhvillimin e bojërave moderne, që ndihmojnë në ftohjen e ndërtesave.
Studime të ndryshme kanë treguar se sipërfaqet e bardha, mund të ulin temperaturën e ndërtesave me disa gradë, duke reflektuar pjesën më të madhe të rrezeve të diellit.
Mediat franceze raportojnë se kërkesa për “Blanc de Meudon” është rritur aq shumë sa produkti ka nisur të mungojë në shumë dyqane.
Përveç familjeve, edhe disa shkolla e kanë përdorur këtë zgjidhje, për të përballuar vapën, megjithëse autoritetet theksojnë se ajo nuk mund të zëvendësojë, izolimin e mirë të godinave.
Ekspertët vlerësojnë se, ndryshe nga kondicionerët, kjo metodë nuk konsumon energji elektrike dhe nuk shton nxehtësinë në mjedis, duke e bërë një alternativë më miqësore me klimën.
Për këtë arsye, përdorimi i bojërave dhe veshjeve të bardha reflektuese, po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, si një mënyrë e thjeshtë dhe e qëndrueshme, për të zbutur efektet e valëve të të nxehtit, duke ndjekur edhe traditën e vendeve mesdhetare, si Greqia, ku shtëpitë prej kohësh, janë lyer me ngjyrë të bardhë, për të qëndruar më të freskëta.


