FIFA i hap dyert Rusisë për rikthimin në kompeticionet ndërkombëtare

Pas më shumë se katër vitesh mungesë në arenën ndërkombëtare, futbolli rus ka marrë sinjalin e parë për rikthim. FIFA ka vendosur të lejojë pjesëmarrjen e përfaqësueses U-15 të Rusisë në aktivitetet e saj, duke shënuar kështu një ndryshim të rëndësishëm pas sanksioneve të vendosura në vitin 2022, kur Moska nisi luftën në Ukrainë.
Sipas vendimit të federatës botërore të futbollit, kombëtarja U-15 e Rusisë do të jetë pjesë e ndeshjeve kualifikuese për edicionin e parë të Kupës së Botës për këtë grupmoshë. Ekipi rus është shortuar në një minigrup që do të zhvillohet në Azerbajxhan gjatë periudhës 22-31 tetor.
Çështja e rikthimit të skuadrave ruse në kompeticionet ndërkombëtare ka qenë objekt diskutimesh të vazhdueshme në futbollin botëror. Megjithatë, deri më tani FIFA kishte shmangur marrjen e një vendimi konkret. Përfshirja e ekipit U-15 konsiderohet nga shumë analistë si hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve sportive me Rusinë.
Në rast se FIFA vendos të heqë plotësisht masat kufizuese ndaj futbollit rus, pritet që edhe UEFA të harmonizojë qëndrimin e saj. Një zhvillim i tillë do t’i hapte rrugën rikthimit të klubeve ruse në kupat evropiane, si dhe rikthimit të kombëtares së parë të Rusisë në garat zyrtare ndërkombëtare në të ardhmen e afërt.
