Nis puna për mbrojtjen e Forumit Romak në Butrint

Në kuadër të bashkëpunimit me Ancient Rome Live, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit nisi fazën e parë për konservimin dhe mbrojtjen e Forumit Romak në Parkun e Butrintit.
Skuadra ka nisur punën e cila në fazën e saj të parë përfshin mobilizimin e kantierit, pastrimin e vegjetacionit dhe mbetjeve organike të akumuluara, si pjesë e përgatitjes së zonës për ndërhyrjet konservuese në vijim.
Projekti “Sistemimi, mbulimi me dhè steril dhe konservimi i rrënojave të Forumit Romak”, synon mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjatë të rrënojave arkeologjike të Forumit Romak, një prej zonave më të rëndësishme të qendrës urbane të qytetit antik të Butrintit.
Parku Kombetar i Butrintit është një zonë e mbrojtur që ndodhet në jug të vendit, pranë qytetit të Sarandës. Ai përfshin qytetin antik të Butrintit, një nga vendbanimet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, i cili u shpall Monument Kulture në vitin 1948. Në 1992 Butrinti u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si një vend me rëndësi të jashtëzakonshme kulturore dhe natyrore. Vendimi u bazua në Konventën e vitit 1972 “Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”.

