INSTAT: Prodhimi i peshkut ra me 7,9% gjatë vitit 2025

INSTAT: Prodhimi i peshkut ra me 7,9% gjatë vitit 2025

Sasia e peshkut të zënë nga të gjitha kategoritë ujore në Shqipëri arriti në 15 153 tonë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rënie prej 7,9% krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 16 452 tonë.

Sipas INSTAT, akuakultura vijon të zërë peshën më të madhe në prodhimin e peshkut, me 6549 tonë ose 43,2% të totalit. Peshkimi në ujërat e brendshme përbën 3007 tonë, ose 19,8%, ndërsa peshkimi detar llogaritet në 4426 tonë, ose 29,2% të prodhimit të përgjithshëm.

Raporti evidenton se rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar molusqet, me 550 tonë të prodhuara në vitin 2025, ose 158,2% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, zëniet në laguna ranë me 8,2%, akuakultura me 8,6% dhe peshkimi bregdetar me 12,1%.

Sa i përket specieve kryesore të peshkimit detar, pjesën më të madhe e zënë karkaleci i thellësisë me 802 tonë (15,9%), sardelja me 765 tonë (15,2%) dhe merluci me 693 tonë (13,7%). Në ujërat e brendshme dominojnë karasi me 1018 tonë (33,9%), skorta me 709 tonë (23,6%) dhe krapi me 546 tonë (18,2%).

INSTAT bën të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2025 u prodhuan dhe u hodhën në liqeni i Ohrit rreth 1,2 milionë rasate të troftës ylber, 2 milionë rasate të koranit dhe 600 mijë rasate të krapit, në funksion të pasurimit të fondit peshkor.

Në sektorin e peshkimit detar, gjatë vitit 2025 ishin të licensuara 854 subjekte, 21 më shumë se në vitin 2024. Flota operon kryesisht në Adriatikun e Jugut, ndërsa porti i Durrësit përqendron 36,3% të anijeve të licensuara, i ndjekur nga Vlora me 30,6%. Sipas tipologjisë së mjeteve lundruese, 73,2% e flotës përbëhet nga anije me njica, ndërsa 23,5% janë anije me tërheqje fundore ose pelagjike.

EMISIONET