Rakipi: Media duhet të raportojë me kujdes çështjet gjyqësore, perceptimi shpesh zë vendin e provës
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi theksoi sot rëndësinë e një marrëdhënieje të balancuar mes sistemit të drejtësisë dhe medias.
Gjatë fjalës hapëse në konferencën kombëtare “Ndërveprimi i drejtësisë me median. Sfidat bashkëkohore”, Rakipi u shpreh se sistemi i drejtësisë duhet të jetë më i hapur ndaj publikut, duke nënvizuar se transparenca dhe komunikimi institucional janë elementë kyç për ndërtimin e besimit të qytetarëve.
“Sistemi i drejtësisë nuk mund të jetë i izoluar nga publiku. Ne jemi një shërbim publik dhe duhet të jemi të përgjegjshëm përballë qytetarëve. Një drejtësi që komunikon pak krijon hapësirë për spekulime, dezinformim dhe mosbesim”, deklaroi ai.
Rakipi u ndal edhe tek ajo që e cilësoi si “gjykimit paralel”, duke theksuar se publikimi i emrave të personave të dyshuar, pamjeve të arrestimeve apo komentet e nxituara në media dhe rrjetet sociale mund të krijojnë një perceptim publik që zëvendëson provat dhe procesin e rregullt gjyqësor.
“Ne, sistemi i drejtësisë, duhet të kuptojmë nevojën legjitime të publikut për informacion, thjesht për faktin se nuk mund të jemi të izoluar nga qytetarët, sepse paguhemi nga publiku taksapagues për t’i shërbyer pikërisht atij. Përbëjmë shërbimin publik gjyqësor dhe duhet, të paktën, të jemi të përgjegjshëm përkundrejt tij. Një sistem drejtësie që komunikon pak, që shpjegon pak dhe që mbetet i mbyllur për publikun, krijon hapësirë për spekulime, thashetheme, interpretime dashakeqëse, dezinformim ose mosbesim. Besimi ndërtohet edhe përmes transparencës, komunikimit institucional dhe aftësisë për të shpjeguar proceset.
Megjithatë, në praktikë, shpesh përballemi me atë që ka filluar të quhet “gjykim paralel” ose “gjykatë publike”. Në momentin kur publikohet emri i një personi të dyshuar, kur transmetohen pamje nga arrestimi, kur komentues, analistë apo përdorues të rrjeteve sociale nxitojnë të japin verdikte, krijohet një realitet paralel me procesin gjyqësor. Dhe, në këtë realitet, perceptimi shpesh zë vendin e provës”, tha Rakipi.
Sipas Rakipit, zhvillimi teknologjik ka shtuar sfidat për raportimin mediatik, pasi informacioni dhe komentet përhapen me shpejtësi, shpesh edhe pa u verifikuar. Ai vuri në dukje rastet kur publikohen pamje nga vendngjarja apo dokumente hetimore dhe gjyqësore përpara se ato të trajtohen në institucionet përkatëse.
“Marrëdhënia mes medias dhe drejtësisë është bërë edhe më komplekse për shkak të revolucionit teknologjik. Shumë më i thjeshtë është bërë përhapja e lajmit apo komenteve nëpërmjet teknologjisë së sotme, e cila përfshin miliona njerëz në fare pak sekonda, që ushqehen dhe, jo pak herë, i besojnë lajmit të parë të dhënë, edhe kur ai është pa cilësi apo në kufijtë e lajmit të rremë. Jo rrallë publikohen pamjet nga vendi i ngjarjes përpara se të arrijë policia atje, shpërndahen akte gjyqësore apo hetimore përpara se të paraqiten në sallën e gjyqit. Ndaj, nevoja për vetëpërmbajtje, për respektimin e standardeve etike dhe të kulturës apo përgjegjësisë profesionale, është e lartë, në proporcion të drejtë me mundësinë e ndikimit të lajmit te publiku”, tha ai.
Megjithatë, Rakipi nënvizoi se media duhet të vazhdojë të raportojë mbi çështjet me interes publik, veçanërisht ato penale, pasi kjo i shërben transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë.
“Media inkurajohet të mos heshtë për çështjet, veçanërisht ato penale me interes publik. Është e shëndetshme për të gjithë që ajo të raportojë, sepse i shërben transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. Por raportimi duhet të jetë i kujdesshëm, i balancuar dhe i mbështetur në fakte të verifikuara, me qëllim që informimi publik të mos rrezikojë dënimin publik”, tha ai.


