Arsimi i Lartë, Manastirliu: Hapim dy programe të reja tek Shkencat e Natyrës

Arsimi i Lartë, Manastirliu: Hapim dy programe të reja tek Shkencat e

Fakultetit të Shkencave të Natyrës do t’i shtohen dy programe të reja për vitin e ri akademik 2024-2025, të cilat përshtaten me kërkesat e tregut, çka do të ndikojë edhe në rritjen e ofertës akademikë, përmes përzgjedhjes së programeve të studimit në këtë Fakultet.

“Janë dy programe të reja bachelor, të cilat tashmë janë miratuar në fazën e parë nga MAS për hapjen në vitin e ri akademik 2024-2025, ‘Kimi Farmaceutike’, dhe ‘Fizikë dhe Shkenca Kompjuterike’, dy programe të cilat do të zgjojnë interesin e të rinjve dhe gjimnazistëve”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me stafin akademik dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Ministrja Manastirliu ka vizituar edhe laboratorët e Fizikës, Kimisë dhe Informatikës të pajisur me teknologjinë më të lartë për zhvillimin e orëve mësimore dhe që do të jenë në funksion edhe të dy programeve të reja “Kimi Farmaceutike” dhe “Fizikë dhe Shkenca Kompjuterike”, ku studentët kanë mundësinë të zhvillojnë njohuritë e tyre në këto fusha, duke i përgatitur ata për tregun e punës të sotëm dhe të ardhshëm.

Në takim u nënvizua edhe rëndësia e angazhimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës për t’u përfshirë në Programin Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve.

“Kemi shpallur Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të mësuesve, një program i cili synon që të rrisë kapacitetet dhe të ofrojë metodat efektive të mësimdhënies për rreth 4 mijë mësues të shkencave, të matematikës, të Tik-ut, teknologjisë dhe informacionit dhe gjithashtu edhe të gjuhës shqipe dhe brenda 2025-ës, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen. Jemi duke punuar për modulet e trajnimeve të cilat duam që të jenë shumë praktike dhe të përmbajnë vërtetë ato metoda efektive që ti bëjnë mësuesit të rrisin potencialin dhe kapacitetet e tyre brenda lëndës që ata japin”, tha Ministrja Manastirliu.

Pedagogët e Shkencave të Natyrës vlerësuan takimin me Ministren Manastirliu, duke u angazhuar për të zgjeruar dhe rimodeluar ofertën akademike, për të tërhequr më shumë studentë në këtë fakultet, si dhe u treguan të gatshëm të kontribuonin në trajnimin e mësuesve të shkencave të natyrës që do të jenë pjesë e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

EMISIONET