AMF propozon projektligjin: Kursimet në pensionet private, më të sigurta dhe më transparente

Kursimet e qytetarëve në fondet private të pensioneve pritet të kenë më shumë mbrojtje, siguri dhe transparencë, pas ndryshimeve në ligjin “Për fondet e pensionit privat”, të propozuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Projektligji i cili ka dalë për konsultim publik, synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian për skemat private të pensioneve, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e kursimeve afatgjata të qytetarëve.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me garantimin e sigurisë së fondeve. Parashikohet që kursimet e qytetarëve të mbahen të ndara plotësisht nga aktivitetet e tjera të kompanive që i administrojnë, duke shmangur përdorimin e tyre për qëllime të tjera dhe duke ulur rrezikun e humbjeve.
Projektligji forcon gjithashtu rregullat për mënyrën se si menaxhohen fondet e pensioneve. Shoqëritë administruese do të kenë detyrime më të forta për kontroll të brendshëm, administrim të rrezikut, qeverisje më të mirë dhe auditim të pavarur, në mënyrë që të rritet siguria e kursimeve të qytetarëve.
Rriten edhe kërkesat për transparencë ndaj anëtarëve të fondeve. Qytetarët do të informohen më qartë dhe më rregullisht për kursimet e tyre, tarifat që paguajnë, mënyrën e investimit të parave dhe ecurinë e fondit ku kontribuojnë.
Sipas pr.ligjit, forcohet gjithashtu roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të ketë më shumë kompetenca për kontroll, inspektim dhe ndërhyrje, me qëllim garantimin e zbatimit të rregullave dhe mbrojtjen e interesave të kontribuuesve.
Ndryshimet ligjore hapin edhe rrugën për zhvillimin e skemave të pensioneve profesionale sipas modeleve europiane. Kjo pritet të sjellë më shumë mundësi për punonjësit dhe përfshirje më të gjerë të skemave të pensioneve në tregun europian, përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar në rastet kur qytetarët punojnë ose kontribuojnë jashtë vendit.
Sipas relacionit shoqërues, qëllimi i projektligjit është rritja e besimit të qytetarëve te sistemi privat i pensioneve dhe forcimi i mbrojtjes së kursimeve të tyre afatgjata.


