SHBA paralajmëron bllokadë detare ndaj Iranit/ Rubio kërkon zbatim të menjëhershëm të urdhrave ushtarakë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kërkuar respektimin e bllokadës detare të SHBA-së ndaj anijeve që lundrojnë drejt dhe nga portet iraniane, në një periudhë kur Uashingtoni dhe Teherani ndodhen pranë një marrëveshjeje të mundshme.
Qëndrimi i tij është bërë i ditur gjatë një telefonate me ministrin e Jashtëm të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, sipas një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit.
Në bisedë është diskutuar situata në Ngushticën e Hormuzit dhe lëvizja e anijeve tregtare në këtë zonë strategjike. Sipas njoftimit, Rubio ka kërkuar që të gjitha anijet tregtare të zbatojnë urdhrat e forcave amerikane, me qëllim ruajtjen e sigurisë në këtë korridor detar.
Ai ka bërë të qartë se shkeljet e bllokadës dhe transporti i naftës iraniane në mënyrë të paligjshme nuk do të lejohen.

