Kongo përballet me shpërthimin e 17-të të ebolës, 29 zona shëndetësore të prekura

Numri i rasteve të konfirmuara me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka arritur në 689, ndërsa 139 persona kanë humbur jetën, sipas një raporti të ri të autoriteteve shëndetësore.
Vetëm gjatë ditës së enjte janë regjistruar 17 raste të reja, përfshirë pesë viktima, të gjitha në provincën e Iturit në lindje të vendit.
Epidemia lidhet me variantin Bundibugyo të virusit të Ebolës dhe është përhapur në 29 zona shëndetësore në tre provinca: Ituri, Kivu i Veriut dhe Kivu i Jugut.
Sipas të dhënave, janë raportuar gjithashtu 168 raste të dyshuara dhe 64 vdekje të tjera të mundshme, ndërsa autoritetet përballen me vështirësi në menaxhimin e situatës.
Ndër problemet kryesore përmenden mungesa e kapaciteteve në qendrat e trajtimit, mungesa e materialeve për mbrojtje dhe kontroll të infeksionit, si dhe raportimi i dobët i rasteve në terren.
Po ashtu, është raportuar edhe mungesë financimi prej rreth 21.5 milionë dollarësh.
Në Ituri janë raportuar edhe dy vdekje në një kamp për persona të zhvendosur brenda vendit, sipas një raporti të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Epidemia aktuale, e shpallur zyrtarisht më 15 maj nga Ministria e Shëndetësisë e DR Kongos, përbën shpërthimin e 17-të të Ebolës në vend që nga zbulimi i virusit në vitin 1976.


