Kishin mbetur të bllokuar në det, shpëtohen pesë turistë të huaj në Gjirin e Filikurit

Policia Kufitare në Himarë ka ndërhyrë në dy raste emergjente të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në zonën e Gjirit të Filikurit, duke shpëtuar dhe evakuuar pesë turistë të huaj.
Në rastin e parë, katër turistë, dy shtetas suedezë dhe dy britanikë, kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit. Për shkak të erës së fortë dhe dallgëve, ata humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar në det.
Pas kërkimeve përgjatë vijës bregdetare, Policia Kufitare arriti t’i lokalizojë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt, pa probleme shëndetësore.
Në një rast tjetër, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në zonën e Filikurit.
Menjëherë u angazhua mjeti lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur gjetjen dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës. Më pas ajo u dërgua për trajtim mjekësor në spital.
Turistët janë nxjerrë të sigurt dhe kanë falënderuar forcat e Policisë Kufitare për reagimin e shpejtë.
Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar në zonat bregdetare për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve dhe apelon që në raste emergjente të kontaktohet numri 112.


