Flukset turistike të verës, Policia Rrugore në Tiranë shton monitorimin me mjete inteligjente
Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, Oliger Torba, gjatë një konference për shtyp tha sot se Policia Rrugore ka intensifikuar monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente për evidentimin e shkeljeve në akset interurbane dhe duke shtuar kontrollet në qendrat urbane.
Sipas Torbës, në rrugët interurbane shërbimet e Policisë kanë minimizuar kontaktet me drejtuesit e automjeteve dhe mjeteve motorike, ndërsa evidentimi i shkeljeve arrihet nëpërmjet monitorimit me mjete inteligjente.
Ai theksoi se në qendrat urbane është intensifikuar monitorimi, duke qëndruar fort në drejtim të shpejtësisë, parakalimeve të gabuara, mosdhënies përparësi këmbësorëve, parkimeve dyshe e treshe, në trotuare, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve, këmbësorëve dhe, më keq akoma, të automjeteve të emergjencës, të cilat duhet të mbërrijnë në kohë reale aty ku nevojiten.
Sipas tij, Tirana pothuajse është përherë në rritje të fluksit të automjeteve dhe për këtë Policia Rrugore në akset me më shumë ngarkesë ndërhyn për të lehtësuar lëvizjen.
“Gjatë kësaj periudhe Policia Rrugore e Tiranës ka evidentuar 6.214 raste shkeljesh që cenojnë sigurinë rrugore, ose 1895 raste më shumë krahasuar me muajin e kaluar. Pavarësisht punës voluminoze, analizave të riskut dhe intensifikimit të monitorimeve, kanë ndodhur 53 aksidente rrugore, nga të cilat fatkeqësisht 3 me pasojë humbjen e jetës së 3 shtetasve”, tha ai.
Ai theksoi se Policia Kufitare, Policia Kriminale, Policia Rrugore, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme vijojnë të jenë 24 orë në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve, pushuesve dhe turistëve gjatë sezonit veror.
“Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët, pushuesit dhe turistët se Policia Kufitare, Policia Kriminale, Policia Rrugore, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Patrullat e Përgjithshme vijojnë të jenë 24 orë në 24 në terren, për të garantuar sigurinë në çdo zonë të qarkut dhe për të reaguar me shpejtësi ndaj çdo situate që kërkon ndërhyrjen tonë.
“Një apel të veçantë dua t’u drejtoj qytetarëve, operatorëve turistikë dhe çdo subjekti që ushtron aktivitet gjatë sezonit veror, që të respektojnë ligjin dhe standardet e sigurisë, pasi çdo shkelje që cenon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje me ligjin”, tha ai.


