Dinosha: Në Shqipëri ka pakica malazeze, por jo serbo-malazeze
Në Shqipëri mund të ketë pakica malazeze, ose pakica serbe por jo serbo-malazeze.
Ferhat Dinosha shqiptari i Malit të Zi, i cili në Tiranë përfaqëson diplomacinë e shtetit fqinj në një intervistë për Ballkan Magazinë të gazetares Linda Karadaku në Ora News, këmbëngul që ky përcaktim të bëhet i qartë një herë e mirë.
Duke i quajtur të shkëlqyera marrëdhëniet Tiranë-Podgoricë, Dinosha bën apel dhe për mundësinë e celjes së një fondi në buxhetin e shtetit që do u vijë në ndihmë pakicave malazeze që jetojnë në Shqipëri.
Po a është Shqipëria model për reskeptimin e pakicave, siç thotë kryeministri Edi Rama? Sa e si reskeptohen të drejtat malazezëve në Shqipëri?
"Do të doja të ishin ashtu" përgjigjet ambasadori i Malit të Zi dhe flet për një problem lidhur me përfaqësimin e pakicës malazeze në komitetin e minoriteteve pranë Këshillit të Ministrave të Republikës.
"Aty është një person që thotë se përfaqëson këtë pakicë serbo-malazeze. Megjithë kërkesat e shpeshta nga qeveria e Malit të Zi ende nuk është zgjidhur që në këtë komitet të ketë një person i cili përfaqëson pakicat malazeze."
Ja intervista e plote
Linda Karadaku: Sa me rëndësi është që një shqiptar i Malit të Zi është ambasador i Malit të Zi në Shqipëri
Ferhat Dinosha: Flet për gadishmërinë e Malit të Zi që me Tiranën të vazhdojë të ketë marrëdhënie të mira. Mali i Zi dëshiron marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe nuk ka probleme me realitetet e reja ballkanike. Mendoj se ardhja ime këtu flet vetvetiu për shpresën, jo vetëm gadishmërinë se marrëdhëniet e mira politike do i begatojmë me ato ekonomike. Dy shtetet po dëshmojnë se janë seriozë në rrugën e integrimit europian. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Mali i Zi aspiron dhe besoj se këtu është ndihma reciproke.
Ku është pengesa që Mali i Zi ende nuk është pjesë e NATO-s?
Mund të jetë faktori ndërkombëtar që kërkon më tepër, por dhe një pjesë e Malit të Zi nuk janë në favor të anëtarësimit
Pakica serbe nuk është dakord?
Komuniteti serb, i cili është rreth 28 % nuk është dakord.
A janë ata zëdhënës të politikës së Beogradit në Mal të Zi?
Ka më shumë subjekte politike serbe, ose pro serbe në Mal të Zi. Mendoj se janë autonom në politikat e veta. Nuk mendoj se marrin direktiva nga Beogradi. Kanë perënduar ato kohë. Serbët e kanë të qartë se Mali i Zi është shtet i pavarur dhe ata duan të jetojnë aty dhe të përmirësojnë jetesën e tyre.
Ju keni qenë kryetar i një partie që ka qenë në koalicion me Milo Gjukanoviç. Sa po respektohen të drejtat e shqiptarëve?
Derisa po udhëheqja Unionin Demokratik të Shqiptarëve, partia më e fortë e asaj kohe e shqiptarëve, kisha një tezë që thoshte se Shqiptarët në Mal të Zi jetojnë më mirë se dje e më keq se nesër. Jam i bindur se është ashtu. Ka projekte që realizohen por që dhe nuk janë realizuar por aspirohen. Por Mali i Zi është i gatshëm të implementojë të gjithë standardet demokratike europiane që kanë të bëjnë me pozitën e pakicës nacionale të shqiptarëve në një shtet multinacional si Mal i Zi.
Bashkëpunimi i Unionit Demokratik të Shqiptarë e me Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviç ka nisur në 1990 kur Gjukanoviç fliste kundër politikave të Millosheviçit. Këtë ai nuk e bënte për hatër të shqiptarëve por për shkak të interesit nacional e shtetëror të Malit të Zi.
Ne në këto momente po shikonim interesin e shqiptarëve për tu kyçur në këtë proces pasi ishim edhe të bindur se Mal i Zi i pavarur do të sillte stabilitet në Ballkan dhe do ndalte ndonjë projekt që mund të mbante të gjallë ëndrrën për Serbinë e Mëdha.
Ne ia dolëm që me partinë e Gjukanoviçit që në 1997 të vendosim një marrëveshje për minimunin e demokracisë. Kësaj marrëveshje iu bashkuan edhe partitë opozitare por dhe pakicat, boshnjakët e kroatët. Politikave minoritare po u printe partia e Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Pse zgjodhët diplomacinë?
Kam qenë gjatë në politikë. Ia kemi dalë të themelojmë fondin për pakicat, që ka 1 milionë euro në vit, që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, dhe ligjin për pakicat që nuk ekzistonte më përpara. Është formuar edhe trupi i cili kur është fjala për pakicën nacionale nuk ekzistonte në rajon.
A kemi pakicë malazeze në Shqipëri? Ka pasur një konfuzion prej vitesh nëse kemi një pakicë serbo- malazeze, apo një pakicë serbe dhe një pakicë malazeze
Mua më vjen keq se vazhdon të jetë ky konfuzion. Njerëzit me prejardhje nga Mali i Zi janë në Shkodër e rrethe. Ata me rënien e komunizmit formuan shoqatën e parë, Rozafa Moraça e cila edhe sot vepron por vazhdon të sillet si përfaqësuese e pakicës serbo-malazeze e cila nuk ekziston. Mund të ekzistojë pakica serbe, mund të ekzistojë pakica malazeze por jo pakica serbo-malazeze . Ne kemi një problem lidhur me përfaqësimin e pakicës malazeze në komitetin e minoriteteve pranë Këshillit të Ministrave të Republikës. Aty është një person që thotë se përfaqëson këtë pakicë serbo-malazeze. Ne kemi reaguar edhe në nivele më të larta. Janë njoftuar institucionet dhe personalitetet relevante të shtetit të Shqipërisë, edhe të këtij pushtetit edhe të mëparshëm, se Mali i Zi pret që të ketë një njeri që vërtet të përfaqësojë intersat autentike të pakicës malazeze, shpresojmë që të zgjidhet edhe kjo çështje.
Është edhe një shoqatë tjetër “Alba Montenegro” e formuar në 2006. Kjo shoqatë sillet në pajtim me realitetet e reja. Vonë është formuar edhe një shoqatë që thotë se përfaqëson pakicën malazeze. Fjala është për shoqatën Dukla. Shumë shoqata për jo shumë njerëz.
Sa malzazeze ka në Shqipëri?
Censusi thotë se janë paraqitur me 0.03 %. Që do të thotë se ka shumë pak 300-400 frymë jo më tepër. Ata vetë flasin për 10- 15 mijë, një shifër shumë e madhe, por realiteti flet për diku tek gjysma.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është model për reskeptimin e pakicave. Sa e si reskeptohen të drejtat malazezëve në Shqipëri.
Do të doja të ishin ashtu, kur është fjala për malazezët, mendoj se kur të dihet numri i saktë i tyre do të duhej të kishin një emision në ndonjë nga tv radiot qoftë lokale, apo qëndrore shtetërore, që sot nuk kanë, të kishin një gazetë në gjuhën e vet.
Po çfarë i pengon ta kenë, sepse shteti shqiptar nuk I pengon?
Shteti shqiptar përveç të mos pengojë edhe të ndihmojë. E kam fjalën për financimin. Në Mal të Zi kemi fondin për pakicat nacionale, nuk e di të ketë ndonjë përqindje të buxhetit shtetëror që ndahet për pakicat në Shqipëri, ndoshta për të tjerat po, por për malazezët e di që jo. Kjo ndihmë do të bënte që të hapej një emision, ndonjë gazetë.
Pse nuk i ndihmon Mali i Zi?
Por se Mali i Zi nuk e ka shumë të fryrë buxhetin. Por duhet të jemi optimist, por nëse ekziston vullneti politik duhet të hapen. Një shkollë do të ishte e mirë edhe për shtetin dhe për pakicën malazeze, ku fëmijët të mësonin gjuhën e vet,. Natyrisht që me rëndësi është numri i nxënësve që të mësojnë gjuhë malazeze , por këto janë disa elemente të tjera.
Ka gjuhë malazeze? Nga ndryshon nga serbishtja?
Ka gjuhë malazeze. Kombi ka dhe gjuhën, por nuk mund ti zbërthejmë sot
Ministri i Jashtëm Igor Lukshic pritet të vizitojë Tiranën a mund të presim nënshkrimin e marrëevshjeve rritje të bashkëpunimit mes dy shteteve dhe në çfarë fushash?
Lukshiç do të jetë këtu për takimin ministror të Kartës së Adriatikut dhe do ta shfrytëzojë edhe për vizitë bilateral zyrtare që do të jetë më 15 të këtij muaji. Marrëdhëniet politike mes Podgoricës e Tiranës janë model. Kjo dihet edhe nga fqinjët e faktori ndërkombëtar. Jemi dy shtete që kanë pikën e përbashkët kufitare të vetme, Moriçanin, dhe kanë treguar vullnet.
Duhet që të zgjerojmë bashkëpunimin në fusha ku ka mundësi, si në infrastrukturë. Jemi në kontakte të mira që do të prodhojnë një projek të mirë për të dy shtetet, Rruga Plavë- Podgoricë, që kalon përmes territorit të Shqipërisë. Janë afruar punët që vitin e ardhshëm të jetë e përfunduar kjo rrugë. Me këtë rrugë distance mes Podgoricës e Plavës do shkurtohet. Nga 2 orë rruga do shkurtohet me 30 minuta.
Flitet për bashkëpunim për një projekt tjetër që është korridori blu për të cilin nuk mjaftojnë buxhetet e dy shteteve dhe kërkohen financime jashtë. Po punohet për këtë korridor.
Mund të punohet më tepër në fushën e turizmit. Mund të kemi mysfarë të përbashkët pasi Ulqini nuk është larg nga Velipoja por as Budva.
