Policia dhe familjarët kanë gjetur pas 5 ditësh trupat e dy të rinjve Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, të cilët u zhdukën pas sherri me kushëririn për parcelat me kanabis. Trupat e viktimave janë gjetur pranë disa parcelave me kanabis, ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë të autorit të dyshuar Daniel Pepaj.

Pas 5 ditësh kërkime policia e Shkodrës dhe banorët e fshatit Vrith në Malësinë e madhe ka arritur të gjejnë dy trupat e dy të rinjve që dyshohet se u vranë për parcelat me kanabis.

Burime nga policia bëjnë me dije se në fshatin Kastrat janë gjetur trupat e Klement Pepaj 21-vjeç dhe Vilson Çutaj 37-vjeç.

Në vendin ku janë gjetur 2 të rinj policia ka gjetur parcela me kanabis, por asnjë gjurmë të Daniel Pepajt, i cili është dhe i dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje.

25-vjeçari vijon të jetë i zhdukur dhe dyshohet se është larguar drejt malit të zi pas kryerjes së krimit, i ndihmuar dhe nga një bashkëpunëtor.

Kërkimet kanë vijuar që prej të dielës, ndërsa në dispozicion të policisë nuk ishte vendosur ndonjë helikopter apo qen kërkimi por vetëm një dron.

Këtë të enjte policia shqiptare madje i kërkoi ndihmë palës malazeze për ti vënë në dispozicion disa qenë kërkues për zbulimin e trupave të të rinjve.

Sipas të dhënave dhe dëshmive kjo ngjarje ka ardhur si pasojë e konflikteve për parcelat e drogës të cilat janë mbjellë në afërsi të fshatit Vrith.

Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj se u kishte vjedhur 50 kg kanabis.

Për këtë arsye, ata u nisën me makinë drejt Zagorës, pasi Danjeli do t’u tregonte ku ishte fshehur kanabisi i vjedhur.

Por pas 2 orësh, Olsion Çutaj që po priste në makinë, vendosi të njoftonte policinë sepse nuk kishte më asnjë kontakt me të 3 personat.

Pistën për vrasjen pas konflikteve me kanabis, policia e ka vërtetuar edhe gjatë kërkimeve të kryera gjatë kësaj të enjteje, ku u gjetën disa parcela me kanabis të cilat u asgjësuan duke u djegur, pamje të cilat u siguruan ekskluzivisht nga Ora News.

Gjatë fazës së kërkimeve, policia sekuestroi dhe këtë automjet i cili është përdorur nga të rinjtë për të mbërritur deri në afërsi të zonës ku e kishin mbjellë kanabisin.

Vilsoni, kushëri me Klemendin, u panë për herë të fundit pasditen e 2 tetorit nga i vëllai Olsion Çutajt, i cili këtë fakt e dëshmoi në polici dhe në publik.

Vilson Çutaj ishte i njohur për drejtësinë pasi në 2018 ishte dënuar për drogë, i cili është liruar nga burgu i Reçit pak muaj më parë.



Ora News ka arritur të sigurojë video dhe foto nga këto momente