Brazil, Rousseff apelon pezullimin e saj
E gjendur mes presioneve të shumta, Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff, ka vendosur që t'a dërgojë pranë Gjykatës Supreme procesin e votimit të dhomës së ulët të Parlamentit i cili pritet të mbahet gjatë orëve në vijim dhe që do të vendosë për pezullimin e saj nga detyra.
Përfaqësuesi ligjor i Presidentes pretendon se marrja e vendimit për t'a votuar këtë cështje në Parlament ka parregullsi ligjore. Ai shtoi se kjo është një lëvizje politike dhe një përpjekje për tëgoditur figurën e Dilma Rousseff. Presidentja mund të pezullohet për plot 180 ditë nga detyra në rast se senatorët do t'i hapin dritën jeshile propozimit të bërë.
Mbi Rousseff rëndojnë disa akuza të ndryshme, ku më kryesorja është cështja e manipulimit të financave publike.
Partitë opozitare pretendojnë se qeveria ka ndryshuar disa të dhëna në aspektin e financave publike për të fshehur një rritje të borxhit publik përpara se Presidentja të fitonte mandatin e saj të dytë në vitin 2014. Një tjetër cështje problematike ka qënë ajo e skandalit të kompanisë gjysmë-shtetërore të naftës Petrobras.
Rouseff akuzohet për korrupsion së bashku me ish-Presidentin Luiz Ignazio Lula si dhe një sërë zyrtarash të tjerë të lartë. Gjatë ditëve të fundit, në Brazil ka patur protesta të shumta, ku qytetarët kanë kërkuar largimin e saj nga detyra.
/Oranews.tv/
