Zjarr i madh në një nga kullat më të larta të Madridit, evakuohen qindra persona

Një shpërthim i fortë i ndjekur nga një zjarr ka shkaktuar panik këtë pasdite në qendrën e biznesit Cuatro Torres në Madrid, pasi kulla Moeve (ish-Cepsa), një nga rrokaqiejt më të lartë të Spanjës, u evakuua plotësisht.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ndodhi në katin e 16-të të ndërtesës 45-katëshe, duke shkaktuar një zjarr të madh dhe një kolonë të dendur tymi që u pa nga zona të largëta të kryeqytetit spanjoll. Autoritetet konfirmojnë se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa vijojnë kërkimet për tre persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar brenda godinës.
Menjëherë pas alarmit, në vendngjarje mbërritën forca të shumta zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës së shërbimit Samur. Sipas policisë spanjolle, flakët janë vënë nën kontroll, por operacioni i evakuimit dhe kontrollit të ndërtesës vazhdon.
Tymi i dendur detyroi autoritetet të urdhëronin evakuimin e menjëhershëm të kullës, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për lokalizimin e tre personave të zhdukur. Sipas raportimeve të agjencisë Europa Press, siguria e plotë e objektit do të verifikohet përpara se të lejohet rikthimi i punonjësve dhe vizitorëve.
Një dëshmitar okular, punonjës në një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes, tregoi se qindra persona u larguan nga godina në mënyrë të organizuar. “Njerëzit po vraponin, por kishte qetësi”, tha ai, duke theksuar se stërvitjet e mëparshme të evakuimit ndihmuan në menaxhimin e situatës.
Kulla Moeve, e njohur më parë si Torre Foster, është në pronësi të biznesmenit spanjoll Amancio Ortega që prej vitit 2016. Me një lartësi prej 248 metrash dhe 45 kate, ajo konsiderohet një nga ndërtesat më të larta në Spanjë dhe pjesë e kompleksit të njohur Cuatro Torres Business Area. Autoritetet po hetojnë shkaqet e shpërthimit, ndërsa ndërtesa kishte përjetuar edhe një incident të ngjashëm me zjarr në të kaluarën.

