Pse disa njerëz e urrejnë pritjen? Zbulohen faktorët që nxisin padurimin

Padurimi është një reagim i zakonshëm njerëzor, por jo të gjithë e përjetojnë njësoj. Një studim i ri i publikuar nga psikologia Kate Sweeny e Universitetit të Riverside hedh dritë mbi arsyet që i bëjnë disa njerëz më të paduruar se të tjerët dhe faktorët që ndikojnë në këtë ndjesi.
Në tre studime ku morën pjesë gjithsej 1,401 persona, studiuesit krijuan skenarë të ndryshëm hipotetikë për të kuptuar se cilat elemente të mjedisit ndikojnë në rritjen e padurimit.
Një nga shembujt e përdorur ishte ai i një seance në kinema, ku një fëmijë bënte zhurmë gjatë filmit. Disa pjesëmarrës panë skenarin ku prindërit nuk ndërhynin për ta qetësuar fëmijën, ndërsa të tjerët panë versionin ku ata përpiqeshin maksimalisht ta qetësonin. Kjo u lejoi studiuesve të vlerësonin ndikimin e perceptimit të fajësisë në nivelin e padurimit.
Sipas rezultateve të studimit, njerëzit priren të bëhen më të paduruar kur:
situata e pritjes është e pakëndshme;
qëllimi që duan të arrijnë është shumë i rëndësishëm për ta;
dikush konsiderohet përgjegjës për vonesën;
vonesa zgjat më shumë sesa ishte parashikuar.
Megjithatë, studiuesit zbuluan se kohëzgjatja e pritjes nuk është domosdoshmërisht faktori më i rëndësishëm. Në disa raste, një pritje prej disa ditësh mund të mos shkaktojë shqetësim, ndërsa edhe 30 minuta mund të duken të padurueshme.
Për shembull, pritja për finalizimin e blerjes së një shtëpie të re mund të tolerohet më lehtë sesa një pritje e gjatë në telefon me një kompani shërbimesh.
Një tjetër element që u analizua ishte dukshmëria e kalimit të kohës, si prania e një ore apo e telefonit celular. Por pjesëmarrësit nuk e konsideruan këtë faktor si shkaktar të rëndësishëm të padurimit.
Studimi tregoi se reagimi ndaj pritjes lidhet ngushtë edhe me tiparet e personalitetit.
Personat me nivele më të larta të neuroticizmit dhe ata që kanë nevojë të fortë për përgjigje apo përfundime të shpejta kanë më shumë gjasa të shfaqin padurim.
Nga ana tjetër, fleksibiliteti, mirëkuptimi, vetëdija, ndërgjegjësimi emocional dhe aftësitë e vetëkontrollit lidhen me nivele më të larta durimi. Sipas studiuesve, këto cilësi mund të zhvillohen dhe të forcohen me kalimin e kohës.
Rezultatet e studimit kanë edhe vlera praktike. Ato mund t’i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë më mirë reagimet e tyre në situata si pritja e rezultateve mjekësore, bllokimet në trafik apo radhët në institucione.
Ekspertët sugjerojnë se aktivitete të thjeshta, si leximi i një libri, dëgjimi i muzikës, lojërat apo forma të tjera shpërqendrimi, mund ta bëjnë pritjen më të lehtë për t’u përballuar.
Gjetjet mund të shërbejnë gjithashtu për projektimin e ambienteve ku pritja është e pashmangshme, si spitalet, laboratorët dhe qendrat e shërbimit, duke ndihmuar në uljen e stresit dhe pakënaqësisë së qytetarëve.
Në fund, studiuesit theksojnë se padurimi mund të ndikojë negativisht në mirëqenien psikologjike, ndaj kuptimi i faktorëve që e nxisin është një hap i rëndësishëm për ta menaxhuar më mirë atë.


