Turisti nga Prishtina mbetet i bllokuar në Velipojë, 46-vjeçari shpëtohet pas defektit të skafit në det

Turisti nga Prishtina mbetet i bllokuar në Velipojë, 46-vjeçari

Një 46-vjeçar nga Prishtina ka kaluar momente të vështira në ujërat pranë Velipojës, pasi skafi me të cilin lundronte pësoi defekt dhe mbeti i bllokuar larg bregut.

Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare nisi menjëherë kërkimet për lokalizimin e mjetit lundrues.

Në operacion u përfshinë edhe operatorë turistikë të zonës, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e saktë e skafit.

Pas disa kërkimeve, mjeti lundrues u gjet në thellësi të lumit Buna, rreth 32 kilometra larg grykëderdhjes.

Sipas policisë, skafi tip “Morea” drejtohej nga shtetasi A.B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në vështirësi për shkak të një defekti në motor.

Shërbimet e Policisë Kufitare i dhanë ndihmën e nevojshme dhe bënë të mundur kthimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues në vendstacionimin e mjeteve lundruese në Pulaj të Velipojës.

Policia Kufitare apelon që në raste emergjente qytetarët dhe turistët të telefonojnë në numrin 112.

EMISIONET