BOTËRORI 2026 – Stadiumet humbasin “përkohësisht” emrat e sponsorëve

Tifozët që po ndjekin ndeshjet e para të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të habiten kur të shohin emra të panjohur stadiumesh.
Kjo sepse FIFA ka zbatuar politikën e saj të njohur si “stadiumi i pastër” , e cila ndalon shfaqjen e markave të kompanive që nuk janë sponsorë zyrtarë të turneut.
Si rezultat, stadiumi i njohur zakonisht si “SoFi Stadium” do të quhet gjatë turneut “Los Angeles Stadium”.
Në mënyrë të ngjashme, “MetLife Stadium” do të quhet “New York New Jersey Stadium”, ndërsa “NRG Stadium” do të njihet si “Houston Stadium”.
Këto ndryshime nuk i kanë pëlqyer sponsorëve, të cilët kanë paguar qindra miliona dollarë për të siguruar të drejtat e emërtimit të stadiumeve.
Megjithatë, ekspertët e marketingut sportiv theksojnë se kompanitë kishin pak mundësi për ta shmangur këtë situatë për shkak të rregullave të FIFA-s.
Sipas FIFA-s, emrat zyrtarë të stadiumeve për Kupën e Botës 2026 janë përshtatur me emrat e qyteteve pritëse dhe mund të ndryshojnë nga emërtimet që përdoren zakonisht në nivel lokal.
Një përjashtim është “BC Place në Kanada”, i cili nuk preket nga kjo rregullore. Ndërkohë, në “Mercedes-Benz Stadium”, FIFA ka lejuar që logoja gjigante e prodhuesit të makinave “Mercedes-Benz” të mbetet e dukshme, pasi mbulimi i saj do të rrezikonte dëmtimin e strukturës së çatisë.
Në Seattle, kompania “Lumen” zgjodhi ta trajtonte situatën me humor.
Ajo publikoi një video ku drejtuesit e saj kërkonin në stadium çdo gjurmë të logos së kompanisë për ta hequr, ndërsa në mënyrë ironike logoja shfaqej vazhdimisht në ekran.
Politika e “stadiumeve të pastra” nuk do të përfundojë me Botërorin.
Stadiumi “SoFi” do të duhet të heqë sërish markën e sponsorit edhe në vitin 2028, kur do të presë ceremoninë e hapjes dhe aktivitete të tjera të rëndësishme të Lojërave Olimpike 2028 në Los Anxheles.


