Skema gjigante e pastrimit të parave në Itali/ Banka ilegale lëvizte deri në 100 mln euro në vit për trafik dr*ge dhe aktivitete kriminale

Autoritetet italiane kanë zbuluar një bankë ilegale në qytetin e Pratos, e dyshuar për transferimin e dhjetëra milionë eurove në vit përmes një rrjeti të fshehtë pagesash të lidhur me trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe emigracionin e paligjshëm.
Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Firences dhe Prokuroria e Pratos, çoi në sekuestrimin e 60 milionë eurove dhe vendosjen e 41 masave paraprake, mes tyre 17 arrestime me burg dhe 16 masa arresti shtëpiak.
Sipas hetimeve, organizata përdorte sistemin informal të transferimit të parave “hawala”, i njohur në Kinë si “chop-shop”, për të kryer pagesa jashtë kontrollit të sistemit bankar. Ky mekanizëm shërbente për lëvizjen e fondeve të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe transaksione të paligjshme tregtare.
Hetuesit vlerësojnë se rrjeti kishte një kapacitet financiar prej 80 deri në 100 milionë euro në vit dhe se aktiviteti kriminal kishte funksionuar për të paktën tre vite.
Në qendër të skemës ishte një rrjet korrierësh që transportonin para të pista mes Italisë, Spanjës, Francës dhe Portugalisë.
Për të shmangur sekuestrimet dhe kontrollet policore, pagesat kryheshin edhe përmes parave cash të gjeneruara nga kompanitë kineze të industrisë së tekstilit dhe modës së shpejtë.
Hetimet zbuluan gjithashtu lidhje të drejtpërdrejta mes drejtuesve të organizatës dhe grupeve kriminale që merreshin me trafik droge. Sipas prokurorisë, ndër klientët e rrjetit ishin edhe grupe shqiptare, të cilat dyshohet se përdornin këtë strukturë financiare për të pastruar të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e paligjshme.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për të përcaktuar shtrirjen e plotë të aktivitetit të rrjetit financiar kriminal.


