Arrestohet pas 9 vitesh “Putney Pusher”, bankieri multimilioner i dyshuar për shtyrjen e një gruaje drejt një autobusi në lëvizje

Një ngjarje që tronditi opinionin publik në Britaninë e Madhe në vitin 2017 ka rikthyer sërish vëmendjen pas arrestimit të një 44-vjeçari, i dyshuar si autori i rastit të njohur si “Putney Pusher”.
Policia britanike bëri të ditur se i arrestuari është një bankier multimilioner me prejardhje aristokratike, i cili u ndalua në rezidencën e tij në perëndim të Londrës nën dyshimin për tentativë lëndimi të rëndë trupor.
Ngjarja ka ndodhur më 5 maj 2017 në Urën Putney të Londrës. Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin një vrapues që shtynte papritur një grua në korsinë e autobusëve, pikërisht në momentin kur po afrohej një autobus me dy kate.
Falë reagimit të shpejtë të shoferit, autobusi frenoi në kohë dhe shmangu përplasjen. Sipas hetimeve, vrapuesi vazhdoi rrugën pa u ndalur për të ndihmuar gruan, ndërsa më vonë kaloi sërish pranë vendit të ngjarjes pa iu përgjigjur thirrjeve të saj dhe të kalimtarëve.
Rasti mori jehonë të madhe në mediat britanike pasi pamjet e incidentit u publikuan disa muaj pas ngjarjes. Hetimi u mbyll në vitin 2018 për mungesë provash të reja, por informacione të siguruara së fundmi çuan në rihapjen e dosjes.
Pas nëntë vitesh, autoritetet kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.


