Rivlerësimi i pasurive, Tatimet: 84 milionë euro kursime nga reduktimi i tarifave

Rivlerësimi i pasurive, Tatimet: 84 milionë euro kursime nga reduktimi

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme po sjell përfitime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset, duke mundësuar kursimin e rreth 84 milionë eurove nga reduktimi i tarifave tatimore vetëm në 3 muaj nga nisja e tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se individët dhe subjektet private kanë përfituar nga lehtësitë fiskale të parashikuara në kuadër të procesit të rivlerësimit, duke ulur ndjeshëm kostot që lidhen me transferimin dhe deklarimin e pasurive të paluajtshme.

Sipas Tatimeve, procesi u jep mundësi pronarëve të reflektojnë vlerën reale të pronave të tyre, duke përfituar nga norma preferenciale e tatimit e përcaktuar në legjislacionin në fuqi.

Autoritetet tatimore rikujtojnë se afati për kryerjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme përfundon më 31 dhjetor 2026, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore.

Ndërkohë, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka vlerësuar ecurinë e procesit, duke bërë të ditur se në vetëm dy muaj të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit nga rivlerësimi kanë arritur në rreth 3,9 miliardë lekë, ose afro 40 milionë euro.

Sipas Malajt, krahasuar me procesin e fundit të rivlerësimit të zhvilluar në vitin 2022, rezultatet e deritanishme tregojnë një ecuri më të mirë, duke lënë të kuptohet se deri në fund të vitit procesi aktual pritet të tejkalojë të ardhurat e realizuara katër vite më parë.

EMISIONET