K*kainë e stampuar me ‘shqiponjë’ e ‘jaguar’/ SPAK zbardhen 5 episodet e trafikut të dr*gës të grupit kr*minal
Pasuri me vlerë mbi 150 milion euro u sekuestruan nga SPAK gjatë një operacioni që goditi një rrjet ndërkombëtar droge që në harkun e vetëm dy viteve trafikoi mbi 50 tonë kokainë nga amerika latine drejt Europës dhe paratë e fituara nga droga i pastronte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, kryesisht në ndërtim.
Në krye të rrjetit, rezultojnë të jenë Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, dhe për herë të parë nga Hetimi të Prokurorisë së Posacme i nisur në vitin 2020, zbulohet një personazh I ri.
Bëhet fjalë për Shpëtim ALIUN, I njohur edhe me emrin Salvador Aliu.
Me origjinë nga Elbasani, ai që mund të konsiderohet si kumbari I fshehur I drogës, raportohet se qëndron në Dubai dhe dyshohet se është një nga furnizuesit kryesor të rrjeteve shqiptare të trafikut kryesisht me kokainë që vinte nga Amerika Latine.
Isa Aliu, Oklid Aliu, Nikoll Bibaj, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Naldi Yzeiraj dhe Armando Pezani, cojnë në 10 numrin e anëtarëve të identifikuar të rrjetit të trafikut dhe pastrimit të parave për të cilët Gjykata e Posacme miratoi masa sigurie arrest me burg.
Vetëm Florjan Musaj u arrestua, ndërsa dy të tjerë që mendohet se janë ende në Shqipëri dhe 7 jashtë vendit, janë shpallur në kërkim
Eldi Dizdari që mban edhe identitetin Denis Matoshi, dhe Dritan Gjika, ky I fundit I bërë I njohur për veprimtarinë e tij në Ekuador, është raportuar me herët se ndaluar më herët në Emiratet e Bashkuara Arabe për llogari të vendeve të tjera ku kanë zhvilluar veprimtari kriminale.
SPAK thotë se ky rrjet kriminal nga vit 2019 deri në vitin 2021 ka vepruar në Amerikën Latine, Brazil Belgjikë dhe Holandë, dhe ka dyshme se ka arritur të trafikojë të paktën 50 tonë kokainë drejt Europës. Vetëm në 5 episode të faktuara janë sekuestruar gati 9 ton kokainë.
Gjatë aksionit, SPAK sekuestroi 266 prona të paluajtshme janë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë e Sarandë, 209 llogari bankare, automjete dhe mjete lundruese.
Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Waasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.


