Trump mirëpret kryeministrin e ri irakian Ali al-Zaidi në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do ta presë kryeministrin e ri irakian në Shtëpinë e Bardhë, pasi më parë e ka mbështetur fuqimisht në kandidaturën e tij për këtë pozicion.
Ali al-Zaidi, një biznesmen që nuk ishte i përfshirë në politikë, doli si kandidati rreth të cilit u arrit një konsensus pas disa muajsh bllokadë për postin e kryeministrit, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në Irak .
Kur al-Zaidi u emërua zyrtarisht si mandatar në prill, Trump shkroi në rrjetin e tij social se ishte "fillimi i një kapitulli të ri të madh në marrëdhëniet midis dy vendeve, i cili do të sjellë prosperitet, stabilitet dhe sukses si kurrë më parë".
Por interesi dhe përfshirja e Trump në udhëheqjen e ardhshme në Irak filloi shumë kohë para asaj deklarate, raporton AP.
Blloku dominues parlamentar i Irakut, Korniza e Koordinimit, një koalicion partish shiite të lidhura me Iranin, fillimisht tha se do të mbështeste ish-kryeministrin Nouri al-Maliki, të cilin administrata Trump e konsideron shumë të afërt me Teheranin . Presidenti republikan i SHBA-së ka njoftuar publikisht kundërshtimin e tij ndaj al-Malikit dhe ka kërcënuar se do të ndërpresë ndihmën për Irakun nëse ai emërohet.
Çështja e Iranit pritet të jetë në qendër të bisedimeve të sotme. Iraku ka qenë nën presion për të çarmatosur një rrjet milicish të mbështetura nga Irani që veprojnë në vend. Disa prej tyre nisën sulme ndaj bazave dhe objekteve diplomatike amerikane pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit në shkurt.
Zyrtarisht, qeveria irakiane u ka dhënë grupeve të armatosura jo-shtetërore afat deri në fund të shtatorit për t'u çarmatosur, por disa nga milicitë më të fuqishme kanë lënë të kuptohet se nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë.
Renad Mansouir, drejtor i Iniciativës së Irakut në Institutin Chatham House, tha se pret që SHBA-të të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi al-Zaidi gjatë vizitës së tij në Uashington për të zbatuar çarmatimin, dhe se Zaidi do të përgjigjet se ka nevojë për mbështetje, si teknike ashtu edhe të armatosur.
Ekziston një skenar ku, nëse qeveria irakiane vepron kundër tyre, këto grupe do të pranonin të luftonin kundër qeverisë dhe qeveria irakiane ka frikë nga kjo, tha Mansour.Al Zaidi fitoi mbështetjen e Trump edhe pse ishte kryetar i Bankës Islamike Al Janub, së cilës i është ndaluar të bëjë biznes me dollarë nga banka qendrore irakiane në vitin 2024, mes presionit nga SHBA-të për të goditur pastrimin e parave dhe kanalizimin e fondeve drejt Iranit.
Që kur mori detyrën, al-Zaidi ka treguar publikisht se si po e godet korrupsionin. Qeveria e tij ka bastisur dhe arrestuar dhjetëra ligjvënës dhe ish-zyrtarë qeveritarë të akuzuar për korrupsion, përfshirë disa të lidhur me ish-kryeministrin Mohammed Shia al-Sudani.
Delegacioni i kryeministrit irakian në Uashington përfshin disa zyrtarë irakianë të biznesit dhe qeverisë, dhe zyra e al-Zaidi tha se qëllimi i vizitës është forcimi i partneritetit ekonomik dhe të zhvillimit, tërheqja e investimeve dhe zgjerimi i rolit të kompanive amerikane që zbatojnë projekte infrastrukturore, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të energjisë të atij vendi të pasur me naftë.


