Trump kërcënon Iranin: Do të godasim Malin misterioz të Kazmës

Trump kërcënon Iranin: Do të godasim Malin misterioz të

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se mund të godasë Malin e Kazmës, pranë objektit bërthamor të Natanzit në Iran, megjithëse ende nuk dihet saktësisht se çfarë ndodhet brenda këtij kompleksi.

“Mali i Kazmës është një objektiv i mundshëm për një goditje të madhe, pikërisht pranë hyrjes kryesore”, tha Trump gjatë një interviste për moderatorin konservator të radios Hugh Hewitt.

“Do ta godasim Malin e Kazmës. Thuajuni iranianëve të jenë gati, shtoi presidenti amerikan.

Trump la të kuptohet se një sulm i tillë mund të ndodhë “së shpejti”.

Kompleksi ndodhet në Malin Kūh-e Kolang, në jug të fabrikës bërthamore të Natanzit në Iranin qendror, një objekt që u bombardua nga SHBA-ja vitin e kaluar.

Dihet shumë pak për këtë vend. Ndërtimi i tij, nisi pas një shpërthimi dhe zjarri në korrik 2020, që shkatërroi sallat mbi tokë ku montoheshin centrifugat e avancuara në Natanz. Autoritetet iraniane atëherë thanë se dëmet ishin shkaktuar nga sabotimi.

Kreu i Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi konfirmoi më vonë se, Irani kishte nisur ndërtimin e një objekti të ri nëntokësor, për të zëvendësuar atë që ishte dëmtuar.

Ndërsa fabrikat e pasurimit të uraniumit në Natanz, kanë qenë për vite nën mbikëqyrjen e IAEA-s, inspektorët e agjencisë nuk kanë hyrë deri më sot në objektet e ndërtuara brenda Malit të Kazmës.

Ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Akbar Salehi, deklaroi më shumë se një vit pas shpërthimit se, Irani kishte ngritur një objekt të përkohshëm zëvendësues dhe po punonte “ditë e natë”, për të ndërtuar të gjitha sallat e montimit brenda maleve përreth Natanzit.

Pamjet satelitore të publikuara nga media amerikane, tregojnë hyrje tunelesh dhe objekte sigurie rreth kompleksit.

Fillimisht, besohej se ai ishte ndërtuar për montimin e centrifugave, por ka spekulime se mund të përdoret edhe për pasurimin e uraniumit.

Sipas analizave të këtyre pamjeve, disa pjesë të objektit mund të ndodhen 80 deri në 100 metra nën tokë, gjë që do ta bënte shumë të vështirë shkatërrimin e tij edhe me bombat speciale që përdoren kundër bunkerëve të fortifikuar.

EMISIONET