Tragjedi në Bangkok/ Zjarri përfshin një bar, 27 viktima dhe mbi 60 të pl*gosur

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një bar në Bangkok të Tajlandës, duke shkaktuar të paktën 27 viktima dhe mbi 60 të plagosur. Flakët u përhapën me shpejtësi në ambientet e lokalit, ndërsa shumë persona mbetën të bllokuar nga tymi dhe zjarri.
Ngjarja ndodhi gjatë natës së së dielës në lokalin "Rong Beer Na Lat Phrao", në lagjen Chatuchak.
Sipas autoriteteve, zjarri nisi pranë skenës së lokalit dhe brenda pak minutash përfshiu të gjithë ndërtesën.
Dëshmitarët tregojnë se energjia elektrike u ndërpre menjëherë, ndërsa tymi i dendur shkaktoi panik mes klientëve që përpiqeshin të largoheshin.
Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje pak pas mesnatës dhe arritën të neutralizonin flakët brenda rreth 30 minutash. Gjatë kontrollit të ambienteve, shumica e viktimave u gjetën në një tualet, ku besohet se ishin strehuar për t'i shpëtuar zjarrit dhe tymit.
Bilanci paraprak është 27 viktima dhe më shumë se 60 të plagosur, tetë prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Hetimet e para sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër në një kondicioner, megjithatë ekspertiza pritet të përcaktojë shkakun zyrtar.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse materialet e ndezshme të përdorura në tavan dhe vështirësitë në evakuim kanë ndikuar në përmasat e tragjedisë. Sipas të dhënave paraprake, shumica e viktimave dyshohet se kanë humbur jetën nga thithja e tymit.
Zona është rrethuar nga policia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.


