FOTO-LAJMI/ Vritet me një plumb në shpinë pranë shtëpisë, ja kush është 50-vjeçari që ra "pre" e atentatit në Vorë
Një atentat i planifikuar ka tronditur fshatin Bërxullë të Vorës, ku Edmond (Ali) Sula, 50 vjeç, u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të së dielës pranë banesës së tij.
Sipas hetimeve paraprake, 50-vjeçari është qëlluar me një plumb të vetëm në shpinë në momentin kur po hynte në shtëpi, pasi kishte parkuar automjetin.
Plaga rezultoi fatale dhe ai humbi jetën në vendngjarje.

Hetuesit dyshojnë se autori ka përdorur një armë me precizion të lartë, ndërsa në vendin e atentatit nuk është gjetur asnjë gëzhojë. Ky detaj ka ngritur dyshimet se vrasja mund të jetë organizuar me kujdes dhe autorët kanë lënë sa më pak gjurmë.
Sula njihej në zonë si person me influencë dhe, sipas të dhënave të para, merrej me aktivitetin e shitblerjes së tokave dhe pronave.
Policia po verifikon nëse kjo veprimtari mund të ketë lidhje me atentatin dhe nëse viktima kishte pasur konflikte të mëparshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon mbledhjen e provave dhe analizimin e kamerave të sigurisë apo të dhënave të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit ose autorëve.
Deri tani, personat përgjegjës për ekzekutimin mbeten të paidentifikuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


