SHBA godet sistemet ushtarake të Iranit, Garda Revolucionare njofton sulme ndaj bazave amerikane në tre shtete

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të rriten.
Goditjet janë pasuar nga një kundërpërgjigje e Iranit ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon, ndërsa palët japin versione të ndryshme edhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet kanë pasur në shënjestër objektiva ushtarake iraniane, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët bregdetarë, si edhe kapacitetet për lëshimin e raketave dhe dronëve.
Media shtetërore iraniane raporton se nga sulmet ka humbur jetën një person, ndërsa katër të tjerë janë plagosur në jugperëndim të vendit.
Pak orë më vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi se ka goditur baza ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein.
Përplasjet e fundit shtojnë pasigurinë për të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit, e nënshkruar në qershor. Në të njëjtën kohë, vijojnë pretendimet e kundërta për statusin e Ngushticës së Hormuzit.
Irani njofton se rruga ujore mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se qarkullimi në këtë korridor strategjik vazhdon normalisht.


