Arrestohet në Britani 46-vjeçarja e kërkuar për zjarrvënien në bankën Marfin, pritet ekstradimi në Greqi

Arrestohet në Britani 46-vjeçarja e kërkuar për

Një zhvillim i ri ka ardhur në dosjen e zjarrvënies në bankën Marfin në Athinë, ngjarje që në vitin 2010 shkaktoi vdekjen e tre punonjësve gjatë protestave në kryeqytetin grek.

Eleni Argyriou, 46 vjeçe, e dyshuar për përfshirje në sulmin me zjarr, është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar përmes “Njoftimit të Kuq” të Interpolit.

Argyriou është bashkë e pandehur me dy persona të tjerë në këtë çështje, të cilët janë arrestuar më herët për tragjedinë ku humbën jetën tre punonjës të bankës gjatë përplasjeve të dhunshme në protestat e vitit 2010.

Para arrestimit, 46-vjeçarja kishte bërë të ditur përmes avokatit të saj se do të kthehej vullnetarisht në Greqi për t’u përballur me hetimet dhe për të dëshmuar pafajësinë e saj. Ajo ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjen e rëndë.

Megjithatë, autoritetet greke vijuan me procedurat ndërkombëtare të kërkimit, duke çuar në ndalimin e saj nga policia britanike.

Tashmë pritet nisja e procedurave të ekstradimit drejt Greqisë, ku Eleni Argyriou do të përballet me autoritetet hetimore për akuzat që lidhen me sulmin në bankën Marfin.

Ngjarja e vitit 2010 mbetet një nga episodet më të rënda gjatë protestave në Greqi, pasi zjarri në bankë i mori jetën tre punonjësve që ndodheshin brenda objektit.

EMISIONET