SHBA nis një valë të re sulmesh ndaj Iranit, goditen dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke goditur dhjetëra pozicione në zonën e Ngushticës së Hormuzit.
Operacioni vjen në një moment të tensioneve të larta në rajon, ndërsa Irani njofton kundërpërgjigje ndaj bazave amerikane.
Sipas CENTCOM, sulmet kanë pasur në shënjestër sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore, radarët bregdetarë, zonat e lëshimit të raketave dhe dronëve, si edhe mjete të vogla detare.
Forcat amerikane kanë përdorur edhe avionë luftarakë gjatë operacionit.
Nga sulmet raportohet se një person ka humbur jetën, ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në të njëjtën kohë, Garda Revolucionare e Iranit njofton se ka goditur objektiva dhe baza ushtarake amerikane në Jordani, Bahrein dhe Kuvajt.
Palët kanë paraqitur versionet e tyre mbi zhvillimet, ndërsa nuk ka ende një konfirmim të pavarur për shkallën e dëmeve apo pasojat e sulmeve në terren.


